Reagon PSD: Aktivistët u arrestuan dhunshëm
Është arrestuar kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj dhe disa aktivistë tjerë.
Ai është arrestuar, pasi përfundojë protesta e veteranëve të UÇK-së, ku ai, bashkë me anëtarë tjerë të PSD-së merrnin pjesë.
Arrestimin e tyre, PSD e quajti të dhunshëm.
“Policia e Kosovës arreston me dhunë, grushte e me sharje aktivistët e PSD-së menjëherë pas protestës së veteranëve të UÇK-së. Pushtetit po i pengon protesta e veteranëve. Nuk ka arsyetim tjetër për mllefin e zellin për dhunë që e përdorën sot. Aparatura shtetërore është vënë në funksion të përndjekjes së opozitës. Arrestimi i Dardan Molliqajt është i paligjshëm sepse ka shkelë procedurat e kodit penal në fuqi. Arrestimi i aktivistëve të tjerë pos që nuk ka arsyetim, është bërë dhunshëm, me rrahje, kërcënime e sharje nga policia”, thuhet në reagimin e PSD-së.
PSD tutje ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Dardan Molliqajt dhe aktivistëve Frashër Krasniqi, Zgjim Hyseni, Gëzon Kastrati dhe Korab Korça./21Media
