Reagon sërish Vela: Nuk e kisha me mediat, por me shpërndarësit e dezinformatave

Pasi Asociacioni i Gazetarëve të Kosovë dënoi deklaratat e Shefit të kabinetit të Presidentes, Blerim Vela. Ky i fundit reagoi përsëri duke thënë se nuk e ka pasur me mediat por me me shpërndarësit e dezinformatave.
“Media të nderuara, reagimi im ka të bëj me shpërndarësit e dezinformatave, porse jo me mediat, të cilat e kanë të drejtën e tyre për raportim të lirë. Mediat e lira janë themel i demokracisë. I inkurajoj që ta zbërthejnë më tej kush janë porositësit e dezinformatave.”, shkroi Vela.
AGK reagon ndaj deklaratave të Velës, thirrje presidentes që t’i ndalojë sulmet e kabinetit të saj ndaj mediave
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka quajtur të rrezikshme dhe të papranueshme gjuhën e Shefit të Stafit të Presidentes Osmani, Blerim Vela në lidhje me një reagim që bëri ky i fundit.
Ai tha pretendimet e Gjykata Kushtetuese mund ta rrëzoj Osmanin nga posti janë një prej skenarëve të Serbisë për ta destabilizuar situatën në Kosovë.
“Vela në një postim skandaloz në Twitter, thotë se raportimet e medieve të Kosovës “janë pjesë e luftës speciale të realizuar sipas skemës së përgatitur nga Beogradi dhe të realizuar përmes kriminelëve të veriut dhe sekserëve të tyre, të cilët ndodhën në listën e zezë të SHBA-së”. Kjo është një gjuhë e papranueshme dhe shumë e rrezikshme që rëndon ambientin e punës së gazetarëve në Kosovë. Për më tepër është vazhdimësi e sulmeve të zotit Vela ndaj medieve. “, thuhet në reagimin e AGK-së.
Madje në reagim thuhet se nuk është kjo hera e parë që Vela ka sulmuar mediat.
“Teksa merr pjesë në Samitin e Demokracisë, AGK-ja i bën thirrje të përsëritur presidentes Vjosa Osmani që përfundimisht të ndalojë sulmet ndaj medieve nga kabineti i saj, e që shërbejnë si presion direkt në punën e tyre. “, përfundon reagimi i AGK-së.
Presidenca për pretendimet se Kushtetuesja “mund ta rrëzojë” Osmanin: Skenar i Serbisë
Blerim Vela, shefi i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani reagoi për raportimet se Gjykata Kushtetuese mund ta rrëzoj Osmanin nga posti.
Ai tha se kjo është skenar i Serbisë për ta destabilizuar situatën në Kosovë.
“E kemi plotësisht të qartë se dezinformatat dhe propaganda që bëhet gjoja duke u thirrë “në burime brenda Gjykatës”, janë pjesë e luftës speciale të realizuar sipas skemës së përgatitur nga Beogradi dhe të realizuar përmes kriminelëve të veriut dhe sekserëve të tyre, të cilët ndodhen në listën e zezë të ShBA-ve. Çfarëdo skenari eventual për të shkaktuar kriza institucionale në Kosovë dhe për ta nxjerrë nga binarët procesin e dialogut (në veçanti për ta parandaluar zbatimin e nenit 4, të marrëveshjes), është vetëm skenar i vetë Serbisë”, shkroi Vela.
Sipas Velës kjo është përpjekje për ndikim të vendimmarrjes gjyqësore dhe tentim puç ndaj institucioneve legjitime të Republikës së Kosovës,” dhe si e tillë do të dështojë.”
“Pretendimet se gjoja Gjykata Kushtetuese do ta “rrëzojë” Presidenten, është synim perfid për t’i bërë presion Gjykatës dhe për të krijuar huti në publik. GjK është institucion i pavarur, e cila ka detyrim të qartë ligjor për të ruajtur integritetin e vendimmarrjes gjyqësore”, vijoi Vela në Twitter.
Veton Berisha dhe Albert Kinolli nga komunitetet egjiptian dhe rom po pretendojnë se mandatet e tyre janë marrë nga disa shkelje të mëdha në zgjedhjet e fundi të përgjithshme. Sipas tyre, Iniciativa Rome ka arritur t’ua zë vendin në Kuvend me ndihmë të votave të serbëve të instruktuar nga Lista Serbe. Ky proces gjyqësor u raportua se mund ta rrëzojë Vjosa Osmanin nga pozita e presidentes, pasi ajo është zgjedhur edhe me votat e deputetëve nga Iniciativa Rome../21Media