Real Madrid mposht Celta Vigo, Benzema shënon het-trik

Skuadra e Carlo Anchelottit ka arritur sonte një fitore bindëse në përballje si vendës kundër Celta Vigos.
Ndeshja në Madrid pas 90 minutave lojë përfundoi me fitoren e vendësve me rezultat 5:2. Celta Vigo, e cila renditet e 18-ta në tabelë me vetëm një pikë, ishte dy herë në epërsi në “Santiago Bernabeu”.
Santi Mina në minutën e katërt shënoi golin e epërsisë për mysafirët, duke paralajmëruar se madrilenët nuk do të ndaheshin edhe aq lehtë në këtë përballje.
Megjithatë, Real Madrid u kthye në lojë dhe arriti të barazojë shifrat përmes Karim Benzema në minutën 24.
Mysafirët arritën serish të kalojnë në epërsi shtatë minuta më vonë përmes golit të Franco Cervi.
Në fillim të pjesës së dytë ishte serish francezi Benzema që barazoi shifrat 2:2.
Vinicius Junior arriti të sjellë për herë të parë madrilenët në epërsi në takim, në minutën 54.
Futbollisti brazilian nuk vonoi shumë dhe u ndëshkua me karton të verdhë pasi kremtoi golin e shënuar së bashku me tifozët e klubit.
Eduardio Camavinga në minutën 72 shënoi edhe golin e katërt për Real Madridin, ndërsa Benzema shënoi het-trik nga penalltia tre minuta para përfundimit të ndeshjes.
Real Madrid pas katër xhirosh renditet i pari në tabelë me 10 pikë, po aq sa ka edhe Valencia e dyta dhe Atletico Madrid i treti, por me gol-diferencë më të mirë.

Back to top button