Realizohen dy operacione anti-drogë, arrestohen tre persona e sekuestrohen 50 kg kanabis
Brenda 12 orëve në Lezhë janë finalizuar dy operacione policore për parandalimin e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, ku janë arrestuar 3 persona ndërsa një tjetër është proceduar penalisht.
Policia ka bërë të ditur se në kuadër të operacionit “Munella” , janë arrestuar dy persona V.LL dhe P.N ndërsa u sekuestruan 31 kilogramë e 600 gramë lëndë narkotike.
”Në operacionin policor të koduar “Munella”, në fshatin Domgjon, Fanë, Mirditë, shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të ushtruara në banesat e shtetasve V.Ll. dhe P.N., kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 31 kilogramë e 600 gramë lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa. Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Lezhë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: V.Ll., 49 vjeç, lindur në Domgjon, Mirditë, banues në Zejmen, Lezhë dhe P.N. 43 vjeç, lindur në fshatin Xhuxhë, Mirditë, banues në Tale, Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Po ashtu është finalizuar dhe operacioni policor i koduar “Kaçinari”, ku janë arrestuar një 36-vjeçar dhe është proceduar në gjendje të lirë babai i tij, shkruan ora news.
Në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar 18 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa.
”Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit:B.Ç.,36 vjeç, banues në fshatin Arrëz,Mirditë, për vepren penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve “, si dhe proceduan penalisht në gjëndje të lirë për shkak të problemeve shëndetësore, babain e tij shtetasin P.Ç”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme./21Media