Reçica në Gjakovë pas vërshimeve, Komuna thotë se e ka situatën nën kontroll

 

Përkundër të reshurave të pandërprera të shiut gjatë ditës së sotme, situata në komunën e Gjakovës, si një nga qytetet më të prekura nga përmbytjet, është paraqitur më e qetë dhe nën kontroll.

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim i Komunës së Gjakovës, Vehat Hoxhaj deklaroi se situata është e menaxhueshme.

“Situata është e menaxhueshme, përpos rasteve në zonat urbane të përmbytjeve të bodrumeve, në rajonin e Gjakovës saktësisht në dalje të qytetit, për momentin niveli i ujërave (të lumit) është në nivel”, tha ai për televizionin publik të Kosovës.

Mirëpo, Shpresa Hana, banore e një lagjeje që është prekur nga përmbytjet fajësoi persona të papërgjegjshëm për ndërtimin e shtëpive në afërsi të lumit, ndërsa tha se vet ka pësuar dëme deri në 40 mijë euro.

Për të parë gjendjen e familjeve të dëmtuara, sot Gjakovën e vizitoi edhe ministri në detyrë i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica. Ai tha se do të bëjnë gjithçka kanë në kompetencë për t’iu dalë në ndihmë banorëve të prekur nga vërshimet.

“Ne si qeveri dhe Ministri e Punës dhe Mirëqenies Sociale jemi të shqetësuar për gjendjen. Në këto rrethana kur kushtet atmosferike janë duke bërë të veten dhe vërshimet e kanë kapluar këtë pjesë, ne do të përpiqemi që me të gjitha masat që kemi në dispozicion për të ofruar ndihmë në koordinim me qeverisjen lokale të Komunës së Gjakovës”, tha Reçica.

Si pasojë e reshjeve dhe rrëshqitjes së dheut në Gjakovë është dëmtuar një pjesë e rrugës së sapondërtuar “Bujar Roka”.

Back to top button