Reciprociteti me targat, Hoxhaj: Më mirë vonë se kurrë!

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka mirëpritur vullnetin e Qeverisë për të implementuar marrëveshjet që ka prodhuar dialogu Kosovë-Serbi.
Hoxhaj ka thënë se vendime të tilla duhet t’i shërbejnë përmbylljes së shtetësisë së Kosovës, jo hapjes së fushatës zgjedhore.
“Kryeministri Kurti që në të kaluarën ka mohuar rezultatet e dialogut, sot po zbaton marrëveshjet dhe afrimon ato! Më mirë vonë se kurrë! Por ne që ishim në qeveri dhe që tash jemi në opozitë, s’duhet të jemi vonë karshi interesit shtetëror. Është e shëndetshme për demokracinë e brendshme në Kosovë të kemi dallime politike, por jo edhe përballë agresionit të Serbisë dhe kur jemi në të drejtën tonë si shtet”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.
Tutje, ai ka thënë se në këto momente, të gjithë jemi me mendje dhe zemër me pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të cilët në dekadën e fundit kanë dëshmuar se janë gardianët më të mëdhenj të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
Ai po ashtu thotë se shpreson ky veprim është në koridim më miqet ndërkombëtar.
“Shpresoj që ky reciprocitet i pjesshëm të koordinohet plotësisht me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian për të prodhuar më shumë ushtrim të sovranitetit se lajme ditore! Vendime të tilla strategjike kërkojnë veprim politik e krijim të fakteve brenda Kosovës, koordinim të jashtëm me partnerët strategjikë të Kosovës, por edhe betejë diplomatike me kundërshtarët e shtetit tonë! Vetëm kështu përmbushen qëllimet dhe mënjohen pasojat që mund të prodhojë gjendja në veri të vendit!”, ka shkruar Hoxhaj.
Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me Serbinë, shoferët me targa të Serbisë kur hyjnë të Kosovë duhet të marrin targa të përkohshme, njësoj siç obligohen qytetarët e Kosovës me targa RKS që t’i ndërrojnë ose t’i mbulojnë targat kur futen në Serbi./21Media

Back to top button