Referendumi serb, çfarë ndryshimesh kërkon të bëjë Serbia

Mbajtja e referendumit kushtetues serb në territorin e Republikës së Kosovës ka trazuar ujërat në Prishtinë. Institucionet nuk duan të lejojnë mbajtjen e këtij referendumi, ndërsa thonë se qytetarët serbë me dy nënshtetësi kanë të drejtë të votojnë përmes postës ose Zyrës ndërlidhëse.
Por për çfarë është referendumi i së dielës? Asgjë me Kosovën, por me ndryshimet që kanë të bëjnë me gjyqësorin që vijnë si obligim për shtetin serb nga procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kosova e kundërshton mbajtjen e tij në territorin e shtetit për faktin se kështu cenohet integriteti dhe sovraniteti i Republikës.
Përmes referendumit kushtetues, Serbia kërkon të bëjë disa ndryshime në mënyrën e përzgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe ta harmonizojë ligjin sipas standardeve evropiane me qëllim që të arrihet një gjyqësor i pavarur, pa ndikim politik dhe për sundim të ligjit.
Qytetarët serbë që do të marrin pjesë në referendum do të kenë mundësi të përgjigjen me “Po” ose “Jo” në pyetjen: “A jeni për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”. Sipas legjislacionit aktual, referendumi nuk ka një prag pjesëmarrjeje prandaj edhe rezultati vendoset me shumicë të thjeshtë.
Me ndryshimet kushtetuese synohet që gjyqtarët të zgjidhen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, që për hir të së vërtetës ekziston, por që anëtarët e tij do të rizgjidhen nga e para dhe sipas një procedure të re. Ndërsa prokurorët do të zgjidhen nga Këshilli i Lartë i Prokurorëve, organ ky që do të zëvendësojë Këshillin ekzistues të Prokurorëve të Shtetit.
Deri më tani, gjyqtarët janë zgjedhur nga deputetët serbë për të ashtuquajturin mandat provues trevjeçar dhe më pas KLGJ i zgjidhte për një mandat të përhershëm. Ndërsa përzgjedhja e prokurorëve është bërë po në Kuvend por me propozim të Qeverisë.
Opozita e kundërshton referendumin, ndërsa Komisioni i Venecias, përkundër se thotë që janë realizuar shumica prej rekomandimeve të tyre, thekson se politika duhet të mbajë duart larg nga Këshilli i Lartë Gjyqësor si dhe Këshilli i Lartë i Prokurorëve.

Back to top button