Refuzohet hudhja e aktakuzës për të dyshuarit në rastin e “Gylenistëve”

Gjykata Themelore në Prishtinë për herë të dytë ka refuzuar hudhjen poshtë të aktakuzës ndaj ish-shefit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI) dhe të tjerëve që akuzohen se kanë deportuar gjashtë shtetasit turq nga Kosova duke mos i respektuar procedurat ligjore.
Refuzimi i Themelores ka ardhur pasi Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rivendosje rastin për dëbimin e  shtetasve turq që kishte ndodhur në mars të vitit 2018 me kërkesë të Turqisë. Gjashtë të dëbuarit ishin dënuar pastaj në gusht të 2020-ës me 56 vite burgim nga autoritetet turke.
Në këtë rast përveç Driton Gashit, akuzohen edhe drejtori i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), Valon Krasniqi si dhe drejtori i Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë Kufitare, Rrahman Sylejmani.
Lajmin e ka bërë të ditur mbrojtësi i të akuzuarit Krasniqi, avokati Ekrem Hoxha.
Lidhur me këtë rast, avokati Hoxha ka thënë se gjykata e shkallës së parë nuk i është referuar fare këshillave të Gjykatës së Apelit, dhe se do të paraqesin ankesë në shkallën e dytë.
“Po, dje e kemi pranu vendimin. Gjykata e ka refuzu prapë dhe nuk ju ka referu fare këshillave të Gjykatës së Apelit, kështu që do apelojmë prapë”, tha avokati Hoxha.
Driton Gashi, Valon Krasniqi dhe Rrahman Sylejmani po akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ndërsa Sylejmani akuzohet edhe për privim të kundërligjshëm nga liria. Akuzat ndaj tyre ndërlidhen me dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova në Turqi gjatë vitit 2018./BetimipërDrejtësi

Back to top button