Ja si duhet t’i shëroni ethet

Të gjithëve na krijohen ethe, duke na shkaktuar shumë dhimbje. Dhimbjet bëhen sidomos të padurueshme gjatë procesit të të ngrënit, dhe na detyrojnë të hamë me gojën gjysmë hapur ose me shumë vështirësi. Disa prej tyre janë aq të dhimbshme sa shkaktojnë probleme edhe me gjumin. Fatmirësisht nuk janë ngjitëse dhe kjo është e vetmja pikë pozitive për to.
Për të mos u ngatërruar me plagët që shkaktohen nga sëmundje si herpesi, këto plagë krijohen në pjesën e butë të indit të gojës, kryesisht në pjesën e brendshme të buzëve, faqeve dhe pjesët anësore të gjuhës.
Këto plagë janë kryesisht të bardha dhe të rrumbullakëta dhe rrethohen nga një pjesë si unazë e kuqe përreth. Zakonisht kërkojnë 1 deri në 2 javë deri sa të shërohen, duke u varur nga madhësia. Nuk dihet me siguri nga se shkaktohen, por mendohet nga lëndime si kafshimi aksidental i faqeve ose gjuhës, stresi , prania e lëndëve irrituese në gojë, mungesë e disa lëndëve ushqyese ose alergji nga ushqimi.
Jo vetëm kaq, por mund të fajësojmë edhe ndryshimet hormonale, sëmundjet e trashëguara nga familja, një sistem imunitar i dobët, si dhe prania e dy kromozomeve X, duke qenë se te femrat krijohen më shpesh se te meshkujt.

Shmangni ushqimet me përqindje të lartë sheqeri dhe aciditeti
Në momentin që e ndieni se po ju krijohet një plagë, ide e mirë do ishte të hiqnit dorë nga ushqimet që kanë një përqindje të lartë sheqeri dhe aciditeti. Këto lloj ushqimesh i irritojnë më shumë këto plagë , duke shkaktuar një ndjesi si djegie dhe zgjasin procesin e shërimit. Mbani mend se bakteret në gojën tuaj i kthejnë sheqernat në acide. Kjo është një nga arsyet e prishjes së dhëmbëve, por mund të çojë edhe në krijimin e plagëve në gojë.
Përdorni ujë me kripë
Edhe pse kjo metodë nuk ju lë një shije shumë të këndshme në gojë, përsëri është shumë efikase. Kripa pastron dhe dehidraton plagën, duke e ndihmuar të shërohet, si dhe mpin dhimbjen përkohësisht. Fillimisht do jetë një procedurë e dhimbshme, por më pas do të kalojë. Zakonisht si masë merren një lugë e vogël me kripë në një filxhan çaji.
Përdorni sodë buke
Një alternativë tjetër nga ajo me ujë dhe kripë është kura me sodë buke. Soda e bukës është një alkalin, kështu që ajo ndihmon të neutralizojë acidin në gojë , i cili shërben si irritues për plagët. Soda ka njëkohësisht edhe efekt pastrues dhe qetësues. Zakonisht përdoret një lugë e vogël me sodë buke në një filxhan me ujë të ngrohtë. Kjo kurë bëhet disa herë në ditë.

Back to top button