Regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës, afro 100 mijë aplikime të aprovuara

Mbi 99 mijë aplikime të votuesve jashtë Kosovës janë aprovuar deri të dielën nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nga mbi 117 mijë kërkesa që janë bërë për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit për Kuvendin e Kosovës.
Këtë e bëri të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi për KosovaPress i cili tha se rreth 7 mijë janë në pritje të shqyrtimit.
“Nga numri total i aplikimeve të aprovuara: 22,955 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësitë diplomatike; 2,590 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë; 73,953 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutitë postare jashtë Kosovës”, thekson për KosovaPress, Elezi
Ndërkaq sipas Elezit numrin më të madh të votuesve të regjistruar janë nga Gjermania me rreth 49 mijë regjistrues dhe Zvicra me rreth 23 mijë regjistrues.
“Francë (4,193), Suedi (3,750), Austri (3,165), Mbretëri e Bashkuar (2,370), Itali (2,206), ShBA (2,070), Belgjikë (2,024), Slloveni (1,400), Slloveni (1,400), Norvegji (1,154) dhe Finlandë (1,010)”, ka thënë Elezi
Ndërkaq periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës përfundon sot.
Sipas Elezit, votimi në përfaqësitë diplomatike do të organizohet më 6 qershor 2026, një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë. Ndërkaq, votimi përmes postës do të fillojë më 25 maj dhe do të zgjasë deri më 6 qershor 2026. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të njoftojë me kohë adresat e kutive postare ku votuesit do të mund të dërgojnë pakot me fletëvotim.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare mbahen më 7 qershor në Kosovë.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?