Remi: Hetuesit e Speciales erdhën me urdhër për kontroll telefoni

(Lajm i përditësuar)
Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa është deklaruar pasi intervistimit nga hetuesit e Speciales. Ai ka thënë se i është sekuestruar telefoni i tij ndërsa ka bërë të ditur se biseda zyrtare është bërë në zyret e EULEX-it.
Ish-komandant Remi ka thënë se hetuesit e Speciales kishin shkuar në shtëpinë e tij dhe i kishin prezantuar një urdhër për kontroll të telefonit.
“Sonte rreth orës 20:00 para shtëpisë time më janë prezentuar hetuesit e Gjykatës Speciale të Kosovës me një urdhër nga prokuroria e Gjykatës Speciale për kontroll të telefonit. Gojarisht më shpjeguan se duhet të bëjmë një bisedë zyrtare në zyre të Eulexit. Personeli nga Gjykata Speciale janë sjellur me respekt. Në zyre të Eulexit më është sekuestruar telefoni im dhe posa është bërë kjo kontroll pa asnjë interesim shtesë nga ana e tyre, ka përfunduar biseda dhe tani gjendem në shtëpi”, ka shkruar Remi.
Lirohet Rrustem Mustafa, ish-komandant Remi
Është liruar Rrustem Mustafa, ish-komandant Remi, i cili para pak orësh ishte arrestuar. Familjarët e tij kanë bërë të ditur se Mustafa është lirurar pas një intervistimi plotësues.
Ish-komandanti i UÇK-së ishte dërguar në bazën e misionit të EULEX-it në Fushë Kosovë për t’u intervistuar.
Arrestohet Rrustem Mustafa, ish-komandant Remi
Është arrestuar ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remi. Arrestimin e tij e kanë konfirmuar për RTK familjarët e Rrustem Mustafës.
Sipas familjarëve, ish-komandanti i UÇK-së është dërguar në bazën e misionit të EULEX-it në Fushë Kosovë.
Para dy muajsh, Rrrustem Mustafa kishte përfunduar dëshminë e tij në Hagë. Mustafa pati thënë se për të ka qenë shumë e rëndë ndjesia të ketë përballë bashkëluftëtarët e tij me akuza të padrejta.
Sipas tij, asnjë shpifje ndaj UÇK-së, nuk mund ta zhbëjë katrahurën që shkaktoi politika kriminale e një regjimi.
Remi kishte nisur dhënien e dëshmisë së tij në Hagë, para dy muajsh. Ai ishte dëshmitari i parë që ka dalë publikisht në gjykimin kundër ish-presidentit, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi, pasi të gjithë të tjerët kanë qenë me masa mbrojtëse.
Remi, që ka qenë deputet i PDK-së vite më parë, dyshohet nga Dhomat e Specializuara me seli në Hagë, për krime lufte.