Remzi Shala dënohet me nëntë vjet e gjysmë burgim për krime lufte ndaj popullsisë civile

Gjykata Themelore në Prizren ka dënuar me nëntë vjet e gjysmë të akuzuarin Remzi Shalën me nofkën “Molla e Kuqe”, për krime lufte ndaj popullatës civile.
Shala fillimisht ishte shpallur fajtor për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”, dhe ishte dënuar me burgim prej 14 vitesh në korrik të 2019-ës, por Gjykata e Apelit në dhjetor të vitit 2019 e kishte ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë, duke i shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 10 vitesh. Gjykata Supreme, më 2 mars të vitit 2020, ka marrë Aktgjykim, dhe çështja i është kthyer Gjykatës së shkallës së I-rë, (Gjykata Themelore në Prizren), në rivendosje, e cila njoftoi sot për dënimin prej nëntë vitesh e gjysmë burgim.
“Gjatë kohës së luftës në Kosovë, me datën 26 qershor 1998 rreth orës 23:00, në fshatin Duhël, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në uniformë dhe i armatosur me armë të gjatë, së bashku me 5 – 6 pjesëtarë të UÇK-së të paidentifikuar, të armatosur dhe me maska në fytyrë, për shkak të dyshimit se H.P., është duke bashkëpunuar me forcat serbe, kanë shkuar tek shtëpia e tij dhe e kanë kanë marrë peng, në atë mënyrë që te dyert e oborrit e kanë thirrur emrin e tij dhe pasi i dëmtuari A.P., , djali i viktimës, i përgjigjet thirrjes dhe i fton të hyjnë, të njëjtit kanë hyrë në oborrin e shtëpisë, i akuzuari i cili u printe dhe ishte i vetmi pa maskë në fytyrë, ka kërkuar të takohet me viktimën H.P., i cili në atë moment ishte brenda në shtëpi, pas njoftimit nga A, ai del në oborr, ku i akuzuari e pyet “a je ti H.”, pas përgjigjes se të dëmtuarit “po unë jam”, pas një bisede të shkurtë, i akuzuari kërkon prej tij që të shkojë me ta se “dëshirojmë me pas një bisedë më të gjatë me ju”, kur viktima thotë “po, ku të doni vetëm të marr cigaret”, i akuzuari i thotë “hajde se ne i kemi të gjitha” dhe kur kanë dal nga dyer të oborrit, viktimën e kanë kapur nga duart duke vazhduar në këmbë në drejtim të lagjes së Qatani dhe pas disa çaste i dëmtuari A.P., i sheh dritat e automjetit duke lëvizur nga lagja Qatani në drejtim të fshatit Grejqevcë dhe pas mbajtjes së tij për disa ditë të mbyllur në vende të paidentifikuara, me datën 01. korrik 1998, trupi i pajetë i viktimës H.P., është gjetur në afërsi të rrugës afër qendrës së fshatit Duhël”, tregohet në akt-vendimin e Gjykatës. /21Media