Rexhepi: Politikanët nuk mund t’i prishin raportet tona me SHBA-në

Për nder të Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), shoqata “Miqtë e Amerikës”, ka organizuar disa aktivitete, duke shprehur kështu falënderim dhe respekt për këtë shtet mik të Kosovës.
Ne sheshin “Bill Clinton”, janë vendosur flamuj të ShBA-së dhe është vendosur një poster me të gjithë presidentët amerikanë.
Kryetari i shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi, tha se përmes këtyre aktiviteteve simbolike synojnë të nderojnë dhe falënderojnë popullin amerikan dhe të gjithë liderët e saj për ndihmën që i kanë dhënë Kosovës në etapa të ndryshme, deri në ditët e sotme.
“Ky është aktiviteti tradicional i shoqatës ‘Miqve të Amerikës’ është aktivitet në vazhdimësi me të cilin ne e festojmë 4 Korrikun. Mirëpo në këtë vit i kemi paraprirë përpara për arsye sepse kemi dashur t’i paraprijmë edhe festës që besoj se shumë institucione këtë ditë do të tregojnë një respekt më të veçantë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës me organizime të ndryshme. Këto aktivitete i kemi bashkë organizuar me Agjencinë e Menaxhimit Emergjent të Kosovës[…].Kjo është një simbolikë e jashtëzakonshme sepse është 245 vjetori i shtetësisë së ShBA”, tha ai.
Po ashtu ai shtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kontribuar shumë për shtetin tonë duke investuar në arsim, siguri dhe çdo gjë tjetër, andaj theksoi se akterët politikë nuk mund t’i prishin raportet e popullit shqiptar me SHBA-në.
“Vetë fakti që Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë simbolizues i shtetësisë së Kosovës, nëse vetëm SHBA kanë kontribuar me miliarda për krijimin e shtetësisë dhe krijimin e institucioneve, kanë investuar në arsim ekonomi e shumë të tjera, nëse kanë investuar në krijimin e FSK-së dhe posaçërisht nëse kanë ndikimin e ushtria jonë të jetë pjesë e trupave të NATO-së, si dhe aleatët politikë mund ta zbehin por në asnjë mënyrë nuk mund ti prishin raportet tona”, tha ai.
Aktivitetet për të shënuar Ditën e Pavarësisë së ShBA-së do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së nesërme.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë simbolizues i shtetësisë së Kosovës, njëkohësisht kemi dhuruar edhe shumë flamuj të SHBA, po ashtu nesër do të ketë një marshim me biçikleta nga Gjilani deri në Prishtinë dhe prapë do të rikthehen në Gjilan,” tha ai.
Në këtë aktivitet morën pjesë Policia e Kosovës dhe Zjarrfikësit.

Back to top button