Kosova pranon edhe afro 183 mijë vaksina “AstraZeneca”

 
Sot, paradite Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ka pranuar 182 mijë e 900 doza të vaksinës “AstraZeneca” nga Norvegjia.
Sipas një njoftimi të MSH-së kontingjenti i vaksinave nga Norvegjia ka mbërritur në Kosovë përmes transportit të organizuar nga institucionet e Bashkimit Evropian. “Kjo mbështetje nga Qeveria Norvegjeze, populli norvegjez dhe institucionet e BE-së kanë një rëndësi të madhe për ne, për të cilën shprehim mirënjohjen tone”, thuhet tutje në njoftim.
Në pranimin e vaksinave në ambientet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, të pranishëm ishin, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Ambasadori i Mbretërisë së Norvegjisë, Jens Erik Grøndahl dhe Udhëheqësi i sektorit për Bashkëpunim i Zyrës së BE-së në Kosovë, Luigi Brusa.
Vitia shprehu mirënjohjet më të sinqerta për ndihmën dhe përkrahjen e vazhdueshme të Norvegjisë dhe BE-së në përballjen me COVID-19, në mënyrë që të mbrojmë shëndetin publik.
Tutje Vitia shtoi se solidariteti mes vendeve mike në kohën e pandemisë së COVID-19 tregon se sa e rëndësishme është për ne të jemi kohezivë në procesin e imunizimit, sepse është forma më e mirë për të dalluar fitoren kundër Virusit COVID-19.
Ambasadori Grøndahl theksoi se është obligim njerëzor të jemi pranë njërit tjetrit për të luftuar COVID-19 dhe të sigurohemi që të kemi bashkëpunim sa më të qëndrueshëm.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i zyrës së BE-së, Brusa u shpreh i lumtur për përmirësimin e situatës epidemiologjike dhe theksoi se Bashkimi Evropian do të qëndrojë përkrah Kosovës gjatë gjithë kohës së vështirë me COVID-19 dhe se mbetet e përkushtuar për të mbështetur Kosovën në forcimim e sektorit shëndetësor.
Ministria e Shëndetësisë ka theksuar se sasitë e vaksinave vazhdimisht po shtohen, andaj u ka bërë thirrje qytetarëve të kualifikuar të grupeve prioritare sipas planit të vaksinimit që të regjistrohen dhe të aplikojnë për vaksinim në www.ekosova.rks-gov.net./21Media

Back to top button