Rikalo viziton kompanitë kosovare që po prezantohen në panairin “Biofach”

Premtohet mbështetje për organizimin e panaireve me ushqime organike

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo po qëndron në Gjermani, me ç’rast ka vizituar agrobizneset nga Kosova që janë duke marr pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Ushqimit Organik “Biofach”.

Rikalo tha se kompanitë kosovare po bëjnë prezantim dinjitoz të produkteve të veta, ku para konsumatorëve evropian janë duke promovuar prodhime cilësore, të cilat mund të jenë konkurrente në treg.

“Mbështetja e ministrisë do të fokusohet në rritjen e kapaciteteve të kompanive që merren me kultivimin e produkteve pyjore jodrusore dhe bimëve aromatike mjekësore, madje zhvillimi i këtij sektori do të jetë prioritet në katër vitet e ardhshme”, tha ministri.

Ai ka theksuar se MBPZHR-ja do ta mbështesë organizatën “Organika” në organizimin e panaireve të tilla, në të cilat agrobizneset vendore do të mund të bëjnë promovimin e kulturave bujqësore.

Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i Shoqatës “Organika“, Faton Nagavci, tha se Kosova edhe pse mund të jetë prodhues më i vogël se shumë shtete të tjera në sektorin e ushqimit organik, cilësia e lartë e produkteve të certifikuara që dorëzohen me kohë mundëson kërkesë më të madhe për këto produkte në tregun vendor e të huaj.

Në panairin “Biofach”, i cili do të jetë i hapur deri më 17 shkurt, po marrin pjesë shumë shtete nga e mbarë e bota, ndërkaq nga Kosova po prezantohen katër kompani prodhuese dhe përpunuese të produkteve pyjore jodrusore dhe bimëve mjekësore aromatike./21Media

Back to top button