KEK jep detaje për rikthimin e njësisë A5, do të ofrojë rreth 140 MW/h

(Lajm i përditësuar)

Njësia A-5 e Termocentralit Kosova A ka përfunduar riparimin kapital të turbinës dhe gjeneratorit, si dhe riparimin e kaldajës nga stafi i KEK-ut dhe kontraktorë që kanë qenë të angazhuar më herët me kontratë kornizë.

Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se njësia A-5, pas testimeve të rregullta provuese është rikthyer në operim me 06.05.2023 rreth orës 11:50 dhe është sinkronizuar me rrjetin duke ofruar kapacitetin prej rreth 140 MW/h.

Lidhur me këtë, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, sot ka vizituar TC Kosova A ku është mirëpritur nga zv. Kryeshefi Ekzekutiv (U.D.) Përparim Kabashi me bashkëpunëtorë.

Kabashi ka falënderuar Rizvanollin për interesimin dhe përkrahjen e saj të vazhdueshme kundrejt KEK-ut dhe ka përgëzuar të gjithë punëtorët dhe menaxhmentin e TC Kosova A për angazhimin dhe përkushtimin e tyre për rikthimin e kësaj njësie në operim.

Ndërsa edhe për TC Kosova B, ministrja Rizvanolli u njoftua se riparimet kanë filluar sipas planifikimeve.

“Termocentrali TC Kosova B gjatë vitit 2023 do të ketë dy remonte kapitale të njësive B-1 dhe B-2, secila me kohëzgjatje 3 mujore. Sipas planifikimit, remonti kapital i njësisë B-2 ka filluar me 16.04.2023 dhe pritet përfundojë pas 3 muajve kur edhe planifikohet të fillojë remonti kapital njësisë B-1”, thuhet në njoftim.

Në anën tjetër, ministrja Rizvanolli falënderoi punëtorët për punën me përkushtim për rikthimin e njësisë A5, si dhe për prodhimin me tre njësitë njëkohësisht përkundër sfidave.

​Rikthehet në operim blloku A5 e Termocentralit Kosova A

Njësia A5 e Termocentralit Kosova A, është rikthyer në prodhim. Kjo u bë e ditur nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila ka njoftuar se punonjësit e Kosovës A i kanë dhanë dhuratën më të mirë për ditëlindje; rikthimi i njësisë A5 në operim.

“Së bashku me menaxhmentin dhe punonjësit festova ditëlindjen dhe rikthimin e njësisë në termocentralin Kosova A. Në emër të Qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës u shpreha mirënjohjen e pafund për punën me përkushtim për rikthimin e bllokut A5, si dhe për prodhimin me tri njësitë njëkohësisht përkundër sfidave”, ka shkruar ajo në Facebook./21Media

Back to top button