Rikthehet për herë të 9-të aktiviteti “Cycle Kosovo for Children”

Aktiviteti vjetor për mbledhjen e fondeve, “Cycle Kosovo for Children”, po rikthehet këtë vit
nga data 15 deri më 18 qershor, ku do të përfshihen katër ditë çiklizëm, mbi 500 kilometra
distancë dhe 7,000 metra ngjitje.

Ky aktivitet mbahet për të nëntin vit me radhë në një bashkëpunim mes organizatës Action for
Mothers and Children dhe një grupi prej 30 – 40 entuziastësh të çiklizmit. Këtë vit, fondet që do
të mbledhen gjatë turneut, do të shkojnë në Klinikën e Neonatologjisë dhe Pediatrisë në Spitalin
Rajonal të Ferizajt, e cila i shërben edhe pesë komunave tjera përreth, me mbi 300 mijë banorë.
Aktiviteti i çiklizmit do të fillojë në Prishtinë, duke vazhduar nëpër qytete dhe fshatra anembanë
Kosovës dhe përfundon përsëri në kryeqytet me një ngjarje përmbyllëse.

Përmes komunikimit të vazhdueshëm që pjesëtarët e aktivitetit kanë pasur me menaxhmentin e
Spitalit të Ferizajt kanë identifikuar pajisjet e nevojshme për përmirësimin e shërbimit
shëndetësor në atë rajon. Pajisjet përfshijnë një makinë eko, inhalatorë, një reanimator neopuff
dhe pulsoksiometra. Sigurimi i këtyre pajisjeve mjekësore do të ketë impakt afatgjatë për
shëndetin e foshnjave dhe fëmijëve.

Falë aktivitetit të “Cycle Kosovo for Children”, punës së Action for Mothers and Children
dhe mbështetjes së donatorëve përgjatë këtyre viteve kanë arritur të përfitojnë Spitalet e
Neonatologjisë dhe Pediatrisë në Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Gjilan, Mitrovicë, Prizren, dhe këtë
vit edhe Spitali në Ferizaj. Çdo vit, identifikohet një spital në nevojë për pajisje të ndryshme
mjekësore dhe të gjitha fondet e mbledhura investohen në këto pajisje.

Thirrja për mbështetje dhe sponzorë është e hapur dhe kompanitë apo individët të cilët
dëshirojnë të bëhen sponzorë dhe pjesëmarrës të ngjarjes “Cycle Kosovo for Children” mund të
kontaktojnë në email adresën:info@amchealth.org për të pranuar pakot e sponzorizimit të
ngjarjes.

Prandaj, çiklistët e CKC dhe AMC ju ftojnë që të bashkoheni në edicionin e 9-të të aktivitetit
“Cycle Kosovo for Children” në mënyrë që të iu mundësojmë një të ardhme të shëndetshme
fëmijëve në Kosovë.

Për individët të cilët dëshirojnë të kontribojnë për këtë kauzë, mund të bëjnë donacion në
llogarinë bankare të AMC-së : Raiffeisen Bank XK051501090002825780; apo përmes
platformës globalgiving: https://bit.ly/3Kk9UbQ, Website: www.amchealth.org, Email adresa: info@amchealth.org

Artikull i sponsorizuar

Back to top button