“Rinumërimi i plotë i votave me supozime se ka pasur manipulime, dëmton integritetin zgjedhor”

 

“Rinumërimi i të gjitha vendvotimeve në nivel vendi, vetëm mbi bazën e supozimeve se mund të ketë pasur manipulime – pa prova konkrete, do t’a dëmtonte seriozisht integritetin e procesit zgjedhor dhe do t’a minonte besimin e publikut në këto zgjedhje”, kështu ka thënë Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Kjo deklaratë e Cakollit vie pasi kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj të enjten pas mbledhjes që kishte me nënkryetarët e partisë dhe kryetarët e komunave të kësaj partie deklaroi se kërkon rinumërim të plotë të votave përshkak të keqpërdorimit me vota.

Por rinumërimi i tërësishëm i votave, sipas Cakollit do të duhet të ndodhte vetëm në rast se ka prova të mjaftueshme për skema masive të manipulimit apo falsifikimit të rezultateve që kanë ndodhur në tërë Kosovën dhe jo vetëm brenda listave të kandidatëve.

“Rinumërimi i tërësishëm do të duhej të ndodhte vetëm në rast se ka prova të mjaftueshme për skema masive të manipulimit apo falsifikimit të rezultateve kanë ndodhur në tërë Kosovën, jo vetëm brenda listave apo kandidatëve të caktuar”, ka thënë Cakolli.

Ai ka thënë se “edhe po të mos kishim fare “ngutinë” e formimit të institucioneve, sërish nuk do të duhej të kishim rinumërim, vetëm pse dikush i ka thënë dikujt – një kandidati – se ka votuar për të, e një votë e tillë nuk është reflektuar në rezultatet zyrtare”.

Ndër tjera Cakolli theksoi se s’mund të ketë rinumërim të votave vetëm për t’a pastruar imazhin e një subjekti politik apo kandidatëve të caktuar.

“E për më shumë, s’mund të kemi rinumërime për t’a pastruar imazhin e një subjekti politik apo kandidatëve të caktuar që mund të jenë të përfshirë në fenomene të tilla. Sidoqoftë, është më se evidente që votimi preferencial, kualiteti i trajnimeve të komisionerëve lidhur me numërimin, si dhe tendencat e komisionerëve për mosreflektimin e drejtë të vullnetit qytetar, janë faktorë që e bëjnë të domosdoshme rishikimin e këtij aspekti të procesit zgjedhor në tërësi”, ka thënë Cakolli.

Lidhur me kërkesën e Haradinajt ka reaguar edhe Ehat Miftaraj nga IKD.

Ai ka thënë se rinumërimi i votave nuk është fontanë dëshirash.

Ndërkohë që lidhur me keqpërdorimin e votave janë arrestuar dy komisionerë.

Back to top button