Rivarrosen 7 viktimat e masakrës së Rezallës

Në Rezallë të Skënderajt, u rivarrosën mbetjet mortore të shtatë personave, që u vranë në luftën e fundit në Kosovë më 1998-99.
Mbetjet mortore të këtyre shtatë viktimave u gjetën në varrezën masive në Kizhevak të Serbisë. Disa mbetje mortore të dy viktimave ishin gjetur më herët në Rudnicë të Serbisë dhe iu bashkuan mbetjeve të tjera mortore që u gjetën në Kizhevak.
Rivarrimi i shtatë viktimave u bë pasi Instituti i Mjekësisë Ligjore bëri ekzaminimet e nevojshme. Ceremonia e varrimit u organizua nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur dhe nga Komuna e Skënderajt.
Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi, të cilët ishin bartur nga forcat serbe për t’i fshehur krimet. Deri tash nga Serbia në Kosovë janë kthyer mbetje mortore të rreth 1,000 personave. Rreth 1,600 persona, kryesisht shqiptarë, vazhdojnë të jenë të zhdukur.

Back to top button