Rizvanolli: Tarifa shtëpiake mbetet më e ulëta në Evropë

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka mohuar deklaratat e deputetëve të opozitës lidhur me tarifat e energjisë të propozuara nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE).
Rizvanolli thotë se tarifat për konsumatorët shtëpiak mbetet më e ulëta në Evropë edhe nëse rritet tarifa në përputhje me propozimin e ZRrE-së dhe subvencionin e Qeverisë.
“Sot në Kuvend u thanë shumë të pavërteta rreth tarifave të energjisë të propozuara nga ZRrE dhe të subvencionuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Një nga më të rëndat ishin deklaratat e disa deputetëve të opozitës se çmimi i energjisë po bëhet 21 cent/kWh, ngjashëm me vendet si Italia. Për hir të opinionit publik dua të përmirësoj këto të pavërteta: Në fakt, tarifa (mesatare) për konsumatorët shtëpiakë mbetet më e ulëta në Evropë, me përjashtim të Ukrainës, edhe nëse rritet tarifa në përputhje me propozimin e ZRrE dhe subvencionin e Qeverisë”, ka shkruar ministrja Rizvanolli në Facebook.

Në seancën e sotme të Kuvendit u diskutua për çmimin e energjisë elektrike, pas propozimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) në Kosovë për rritjen e çmimit.
Deputetët e partive opozitare kanë akuzuar Qeverinë e Kosovës për keqmenaxhim të situatës me energji elektrike dhe i kanë kundërshtuar propozimet për rritje të çmimit të energjisë./21Media

Back to top button