Roboti që krijon skulptura

Statuja e Davidit, e punuar nga skulptori Italian Mikelangjello në mes të viteve 1501 e 1504, u gdhend nga mermeri për qytetin e vogël Carrara, që ndodhet në bregdetin e Tuskan. Tani këtë skulpturë e gdhend me precizitet një robot i cili funksionon me anë të një softueri. Roboti është i kompanisë italiane ROBOTOR. Prodhuesit e robotit në një intervistë për AP kanë folur në lidhje me punën që kryen ai, dhe rreth asaj se a duhet të frikësohen skulptorët se po u merret puna nga robotët.
Roboti quhet BOT1, dhe atë e krijoi kompania ROBOTOR, e themeluar nga Giacomo Massari dhe Filippo Tincolini. Qëllimi i ndërtimit të tij është gdhendja e skulpturave në mermer, por edhe në plastikë e dru.
TORART, kompani kjo tjetër e themeluar po nga ky ekip, aranzhon prodhimin e statujave që kanë pamjen e disa prej atyre që i kanë krijuar artiste të mëdhenj botëror.
Pra, roboti krijon vepra artistike me pamje të atyre që i krijuan dikur artistët, punimi i të cilave ka marrë kohë me vite, ndërkaq roboti i krijon ato për disa ditë.
Bashkëthemeluesi i TORART dhe ROBOTOR, Filippo Tincolini, ka thënë se roboti sot vlerësohet si makinë moderne, por se çdo gjë moderne na frikëson. Artizanët të cilët nuk janë përballur ende me këtë teknologji, janë në dijeni për këtë. Ata kanë frikë se puna e tyre po u merret, por ata po ashtu duhet të dinë se robotin e drejton dikush, që do të thotë se edhe për ta do të ketë punë. Pra, roboti është vetëm makinë që drejtohet nga njeriu, andaj nuk duhet pasur frikë se humbet puna për shkak të tyre.
Në qendrën e kompanisë TORART, disa nga stafi punues janë të angazhuar në krijimin e imazheve 3D, të krijimeve artistike të cilat do të gdhenden në skulptura.
Giacomo Massari thotë se është në interesin e artistëve tradicional që të përballen me teknologjinë për të arritur sukses në botën e konkurrencës të artit bashkëkohës.
Ai ka thënë se për ata që e kuptojnë robotikën, ajo ka vlerë të madhe sepse u ndihmon artizanëve që të arrijnë synimet e tyre, të specializojnë në detaje të cilat bëjnë që ato të kërkohen në treg. Sipas tij, ata që duan të mbesin në botën e prodhimit të artit bashkëkohës, duhet të pajisen me instrumente të domosdoshme teknologjike.
Carrara ka histori të gjatë si qendër e artizanëve dhe skulptorëve. Në një puntori të madhe në qendër të qytetit, Diego Zampolini, përgjegjës i shoqatës së skulptorëve në Carrara, nuk bindet që veprat artistike mund të krijojen me shfrytëzim  të robotëve. Sipas tij, skulptura e gdhendur nga roboti është e vdekur, e ajo që punohet nga skulptori njeri është e gjallë, e vërtetë.
Skulptori duhet të punojë vetë me dart e tij skulpturën, ta ndjej atë, e ajo që punohet nga roboti nuk ka jetë, ka thënë ai.
Ai dhe kolegët e tij për krijimin e skulpturave shfrygtëzojnë çekan, dalta dhe lima, dhe besojnë se këto instrumente janë ato që u japin jetë një cope mermeri.
Dhe në fund, për artin që krijojnë robotët ka folur edhe Alessandro De Luca, profesor për robotikë në Universitetin Sapuenza në Romë. Ai ka thënë se tani robotët po shfrytëzohen edhe në botën e artit.
De Luca ka përfunduar me këtë se e re në tërë këtë punë është simbioza në mes artistit e teknologjisë në një bllok mermeri, e deri te përfundimi i krijimit. Por pjesën kryesore e ka artisti njeri, sepse ai e mbikqyr tërë procesin e punës./21Media

Back to top button