Rohde: Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht targat KM

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka thënë se si Bashkimi Evropian ashtu edhe vendet e Quint-it, gjithmonë e kanë bërë të qartë se Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht targat ilegale si KM e të tjera. Sipas tij, kjo është në përputhje me marrëveshjen e Brukselit.
Megjithatë ai thotë se Gjermania ende mendon se duhet të merren parasysh këshillat që periudha tranzitore për largimin e këtyre targave të jetë 12 muaj në total.
“Ne gjithashtu kemi qenë gjithmonë të zëshëm për një periudhë më të gjatë tranzicioni (12 muaj në total) siç parashikohet në marrëveshjen në fjalë, për të zgjidhur edhe çështjet tjera të mbetura teknike në mënyrë pragmatike. Ne ende mendojmë se këshillat tona duhet të ndiqen”, ka shkruar Rohde në Twitter.
Tutje ai ka thënë se do të dëshironte të shihte më shumë përpjekje nga përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës për të depërshkallëzuar situatën.
“Gjithashtu do të doja të shihja përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës që të kontribuojnë në mënyrë konstruktive në depërshkallëzimin e situatës. Për shembull, duke u shpjeguar qytetarëve serb realitetin se në Kosovë duhet të përdorni targa të Kosovës”, është shprehur Rohde në Twitter.


Sot ka filluar zbatimi i vendimit të Qeverisë së Republikës të Kosovës për targat ilegale, sipas të cilit serbët do të marrin vetëm vërejtje deri më 21 nëntor, si fazë e parë e konvertimit të targave në RKS, pas së cilës do të fillojë faza tjetër, ajo e gjobitjes 150 euro.
Nga data 21 janar 2023, pronarët e mjeteve me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, për të hyrë dhe qarkulluar në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të pajisen me targa provuese duke e pasur të drejtën e regjistrimit me targa RKS me lehtësirat e parapara.
Nga data 31 mars deri më datë 21 prill 2023, do të mundësohet regjistrimi i mjeteve me “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo“ĐA” në targa RKS, por të njëjtat nuk do të mund të shfrytëzojnë lehtësirat e ofruara deri me këtë datë.
Pas datës 21 prill 2023, nuk do të lejohet hyrja apo qarkullimi i mjeteve motorike që posedojnë targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” brenda territorit të Republikës së Kosovës./21Media

Back to top button