Rohde: Sulmet e NATO-s ishin përgjegjësi morale e jona për ta ndalë gjakderdhjen dhe krimet e Millosheviqit

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake e policore serbe nuk është arsye për festë.

Ai ka thënë se është bërë ajo që ishte e nevojshme për ta parandaluar gjakderdhjen dhe mizoritë e mëtejshme të regjimit të Millosheviqit.

Në platformën “X”, Rohde ka shkruar se i qëndrojnë atij vendimi.

“Ne bëmë atë që ishte e nevojshme për të parandaluar gjakderdhjen dhe mizoritë e mëtejshme nga regjimi i Millosheviqit në Kosovë pasi diplomacia dështoi. Ishte përgjegjësia jonë morale dhe ne i qëndrojmë atij vendimi”, ka shkruar Rohde.

Sot mbushen 25 vjet nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake e policore të Serbisë dhe Malit të Zi.

Sulmet kishin filluar në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.

Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Ai atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se i kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.

Sulmet ajrore kundër forcave serbe e malazeze vazhduan deri më 9 qershor, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i kriminelit Millosheviq dhe më 11 qershor forcat e armikut fillojnë ta lëshojnë territorin e Kosovës.

Kjo është ndërhyrja e parë ushtarake e NATO-s që nga formimi i saj, e cila njihet edhe si ndërhyrja historike./21Media

 

Back to top button