Roshi: Në Wembley do ta japim maksimumin

 
Para ndeshjes mes Kombëtares së Anglisë dhe asaj të Shqipërisë, sulmuesi i kësaj të fundit Odise Roshi në një konferencë për media ka treguar se “Kuq e Zinjtë” do ta japin maksimumin për të nxjerrë rezultat pozitiv ndaj “Tre Luanëve”.
Të premten mbrëma me fillim nga ora 20:45 Anglia pret në shtëpi, në stadiumin “Wembley” Kombëtaren e Shqipërisë, ndeshje kjo e vlefshme për fazën kualifikuese drejt Kampionatit Botëror “Katar 2022”.
Këtë ndeshje, Odise Roshi e cilësoi tejet e vështirë, por tregoi se skuadra e grumbulluar do ta jap maksimumin në “Wembley” kundër Anglisë.
“Të gjithë e dimë që me Anglinë është një ndeshje shumë e vështirë. Të gjithë e dinim kualitetin që Anglia ka shfaqur dhe ka. Do të shkojmë në Uembli të luajmë dhe të japim maksimumin”, tha Roshi.
Po ashtu, Roshi tregoi se skuadra që ka Shqipëria ka lojtarë tejet cilësorë të cilët kanë aftësitë për të bërë mrekulli në ndeshje të mëdha.
“Mrekullitë kanë ndodhur dhe prandaj janë të bukura. Shpresoj që të ndodhë kjo gjë. Kështu kemi shkuar edhe në Portugali në 2014 dhe e kemi fituar ndeshjet. Tani lojtarët janë në formë, si Cikalleshi që ka qenë edhe lojtari i javës në formacion në Turqi. Ashtu ka edhe lojtarë të tjerë, si Bare, Kumbulla, Ismajli, që luajnë në nivele shumë të mira. Shpresojmë”, tha Roshi.
Shqipëria gjendet në Grupin I të kualifikimeve të Botërorit “Katar 2022” së bashku me Poloninë, Hungarinë, Andorrën dhe San Marinon.
Momentalisht, pas tetë ndeshjeve të zhvilluara “Kuq e Zinjtë” kanë arkëtuar gjithsej 15 pikë, dy më pak se vendi i dytë Polonia, dhe katër më shumë se vendi i katërt Hungaria.

Back to top button