Rrahet imami i xhamisë në Lupç të Poshtëm, reagon BIK

Imami i xhamisë së fshatit Lupç i Poshtëm të Podujevës, Zeqir Berisha, është rrahur nga tre persona, të cilët janë arrestuar.
“Mbrëmë rreth orës 22:00, policia ka marrë informacionin se në fshatin Lupç i poshtëm të Podujevës, është gjetë një person i lënduar rëndë. Personi i lënduar Z.B. mashkull, është dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që njësitet policore të Podujevës menjëherë kanë filluar ndërmarrjen e verimeve operativo-hetimore dhe kanë arritë të arrestojnë tre persona të dyshuar”, bëhet e ditur në njoftimin e Policisë.
Personat e arrestuar: B.M, 27 vjeçar, A.M, 28 vjeçar dhe Sh.M 25 vjeçar, pas intervistimit, me urdhër të prokurorit të shtetit janë dërguar në qendrën e mbajtjes, ndaj tyre është iniciuar rasti vrasje në tentativë.
Bashkësia Islame e Kosovës(BIK) ka dënuar sulmin ndaj imamit të xhamisë. “Sulmi i mbrëmshëm mbi imamin në hapësirat e xhamisë, në vendin e tij të punës, është akt i papranueshëm, madje përveçse sulm mbi imamin është edhe atak mbi xhaminë dhe xhematin e respektuar”.
Tutje në reagimin e BIK thuhet se imami është autoriteti më i lartë fetarë në xhematë, andaj atakimi i tij është atakim i vlerave dhe misionit që përfaqëson ai, e në këtë rast është edhe atak mbi Bashkësinë Islame të Kosovës.
“Mbështesim dhe i qëndrojmë afër imamit të respektuar, e nga xhemati kërkojmë që të distancohen nga autorët e sulmit, ndërsa nga organet e drejtësisë kërkojmë që të japin vendimet e duhura, sepse është sulmuar imami – autoriteti zyrtar fetar në vendin e tij të punës, si dhe është atakuar hapësira e xhamisë, e cila është e dedikuar për lutje e ibadete”, thuhet në reagimin e BIK./21Media

Back to top button