Rrahmani flet për luftën në Kosovë, hapat fillestarë të karrierës e dashurinë për Napolin
Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës dhe skuadrës italiane Napoli, Amir Rrahmani, përmes një interviste me zyrtarët e mediave të klubit italian ka folur për luftën në Kosovë, hapat fillestarë të karrierës së tij dhe dashurinë që e ka ndaj Napolit.
Që prej transferimit të tij nga Verona te Napoli, Rrahmani është bërë ndër lojtarët kyç të “Napolitanëve”, ku vazhdimisht është zgjidhja e parë e trajnerit Luciano Spalletti krahas mbrojtësit Kalidou Koulibaly.
Fillimisht, në intervistën e tij për klubin e Napolit, Rrahmani ka treguar se si familja e tij ishte larguar nga Kosova në kohën e luftës, ndërsa më pas ka folur edhe për startin e karrierës së tij si futbollist.
“Kur kam qenë i vogël unë nuk e kam pasur pasionin për të luajtur futboll sepse kishim gjëra më të rëndësishme për tu brengosur. U shpërngulëm në Irlandë me familjen time për një vit, kurse me përfundim të luftës ne u rikthyem në Kosovë. Që nga ai moment babai im më detyroi të merrem me futboll, kam qenë 8 vjeç. Nuk mbaj mend shumë, por kam vetëm kujtime të mira. Jam falënderues që nuk kam humbur asnjë familjarë gjatë luftës”, ka deklaruar Rrahmani.
“Në moshën 17 vjeçare fillova të luaja në Serie B, ishte tejet e rëndësishme që të fillosh të luash në atë moshë. Pastaj kalova në Serie A dhe pas dy vitesh që isha duke luajtur në Kroaci, hap pas hapi unë arrita në nivelet më të larta të futbollit italian”, ka shtuar më tej mbrojtësi kosovar.
Më tej, Rrahmani ka folur edhe për sezonin e tij të suksesshëm me Veronan, sezon ky që e ka shtyrë Napolin që ta sigurojë transferimin e tij dhe për dashurinë që ka ndaj skuadrës italiane.
“Pas një sezoni të mirë me Veronan, pas gjashtë muajve pranova ofertën nga Napoli, dhe sigurisht që menjëherë e pranova. Jam tejet i lumtur që jam këtu, Napoli gjithmonë luan në nivelet më të larta”, ka thënë Rrahmani.
“Napoli është një qytet tejet i bukur, dhe me shumë histori. Është një gjë e mahnitshme, një nga gjërat që i dua më së shumti pt që i dua më së shumti për këtë qytet. Dua të vazhdojë kështu, keni parë vetëm fillimin e Amir Rrahmanit, e di që ende mund të jap më shumë nga vetja. Përshëndetje drejt të gjithë tifozëve të Napolit, ju dua… Vazhdo gjithmonë Napoli”, ka shtuar më tej mbrojtësi i Napolit.
Amir Rrahmani është transferuar nga Verona te Napoli në janar të vitit 2020, ku më pas gjashtë muaj ka kaluar në formë huazimi te Verona, ndërsa në gusht të 2020-ës është rikthyer në skuadrën e Napolit.
Që nga ajo kohë, Rrahmani ka arritur të bëjë 55 paraqitje në të gjitha garat, duke regjistruar katër gola dhe një asistim.