Rreth 1000 fëmijë janë vrarë ose plagosur në luftën e Rusisë në Ukrainë

Të paktën 972 fëmijë janë vrarë ose plagosur që kur Rusia filloi pushtimin e saj në Ukrainë më 24 shkurt, sipas UNICEF.
“Dhe këto janë vetëm shifrat që OKB-ja ka mundur të verifikojë. Ne besojmë se numri i vërtetë është shumë më i lartë”, tha në një deklaratë drejtoresha ekzekutive e UNICEF-it Catherine Russell .
Russell vuri në dukje shqetësimin e thellë që mund të përjetojnë shumë fëmijë në të gjithë Ukrainën pas dhunës, plus shkatërrimin që ka sjellë lufta në sistemin arsimor të vendit, transmeton rtv21.tv.
“Fillimi i vitit shkollor brenda pak më shumë se një jave është një kujtesë e fortë se sa shumë kanë humbur fëmijët në Ukrainë. Sistemi arsimor i Ukrainës është shkatërruar nga përshkallëzimi i armiqësive në të gjithë vendin. Shkollat ​​janë vënë në shënjestër ose janë përdorur nga palët, duke rezultuar që familjet të mos ndihen të sigurta për t’i dërguar fëmijët e tyre në shkollë”, tha ajo të hënën.
“Ne vlerësojmë se 1 në 10 shkolla janë dëmtuar apo shkatërruar”, shtoi ajo.
Russell bëri thirrje për një armëpushim, duke thënë se fëmijët kanë nevojë për siguri, stabilitet dhe mbështetje./21Media

Back to top button