Rreth 20 pacientë marrin plazmën e gjakut kundër Covid-19

 

Kosova ende nuk ka siguruar asnjë dozë të vaksinës kundër koronavirusit, por tashmë pacientët e shtrirë në Klinikën Infektive kanë nisur të marrin si terapi mbështetëse, trajtimin me plazmën konvalescente. Rreth 20 pacientë kanë marr këtë përbërës të gjakut, por infektologët thonë se ende është herët të flitet për efektet e këtij trajtimi. Ndërsa, nga Qendra Kombëtare e Kosovës për Transfuzion të Gjakut (QKKTGJ) thonë se nuk kanë rezerva të mjaftueshme të plazmës së gjakut.

Infektologu i Klinikës Infektive, Izet Sadiku thotë se në javët e fundit ka nisur aplikimi i plazmës konvalescente në këtë klinikë, por sipas tij ende është herët të flitet për efektet e këtij lloj trajtimi te pacientëve me koronavirus.

Ai thotë se deri tani rreth 20 pacientë kanë marr këto doza të gjakut.

“Sigurisht që ka filluar në dy-tri javët e fundit aplikimi i plazmës konvalescente tek ne, ndërsa në vendet tjera e dimë që ka nisur shumë moti, për efektet është herët me fol sepse është një numër shumë i vogël i pacientëve dhe nuk mund të jepen rekomandime. Konsiderohet se si edhe në vendet tjera që plazma konvalescente mund të ndihmojë pacientin. Për këtë arsye te format e rënda kemi filluar sipas protokollit të hartuar nga Ministria e Shëndetësisë, ka filluar aplikimi i plazmës konvalescente. Për rezultatet mund të flasim në një periudhë më të vonshme kur kemi numër më të madh të rasteve që kanë marr këtë trajtim…Duhet të jetë 15 deri 20 pacientë që kanë marr këtë dozë…..Një deri dy doza mund t’u jepen pacientëve që kanë COVID-19”, theksoi Sadiku.

Sa i përket sasisë së grumbulluar të plazmës konvalescente, Bukurije Zhubi, drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Kosovës për Transfuzion të Gjakut (QKKTGJ), thotë se deri më tani kanë rreth 300 dhurues të plazmës konvalescente, por vetëm 35 prej këtyre dozave i kanë plotësuar kushtet për përdorim.

Zhubi apeloi tek qytetarët që kanë kaluar COVID-in që të dhurojnë gjak, pasi rezervat aktuale të plazmës konvalescente nuk janë të mjaftueshme.

“Kemi grumbulluar një sasi të konsiderueshme të plazmave konvalescente domethënë janë dikur rreth 300 por jo të gjitha i plotësojnë kushtet për përdorim sepse ato duhet t’i kenë prezencën e antitrupave SARS-COV2, dhe ato që të plotësojnë kushtet kalojnë dhe prej tyre janë 35 doza deri tani të cilat i kanë plotësuar kushtet për përdorimin e plazmës konvalescente….Karakteristikë e plazmës konvalescente që dallon nga plazma e zakonshme është se vetëm prezenca e antitrupave anti-SARS-COV2, ndërsa pjesa tjetër ngelet e njëjtë, ruhen apo ngrihen në temperatura të ulëta deri në -40 gradë celsius dhe ruhen si të tilla deri në 1 vit. Përndryshe rezerva aktuale e plazmës konvalescente nuk është e mjaftueshme kështu mendoj se duhet të bëhet apel tek qytetarët dhuroni plazma shpëtoni jetë“, theksoi Zhubi.

Drejtoresha e QKKTGJ ka treguar edhe disa nga parametrat që duhet t’i plotësojnë dhuruesit e gjakut, si dhe mënyrën e ruajtjes së plazmës konvalescente.

“Tranfuzioni i Gjakut ka qenë gjithmonë i gatshëm dhe tani është i gatshëm që të bëjë grumbullimin e dozave të plazëve nga pacientët të cilët kanë kaluar dhe janë shëruar me COVID-19. Sigurisht që për një procedurë të tillë duhet të ekzitojnë kushte shtesë për të arritur që të krijojmë rezerva të një produkti të tillë. Kemi dy kushte që duhet t’i plotësojë dhuruesi që vjen të dhuroj plazmën konvalescente fillimisht duhet ai t’i plotësojë kriteret e përgjithshme të një dhuruesi standard të gjakut , dhe pastaj gjithashtu t’i plotësojë kërkesat specifike në këtë rast kalimin e sëmundjes COVID-19, kalimi i sëmundjes që dokumentohet me ndonjë dokument përmes testit PCR, serologjik që vërteton prezencën e antitrupave në plazmën e dhuruesit”, theksoi Zhubi.

Kosova në janar ka miratuar Udhëzuesin për trajtim me Plazmë Konvalescente të pacientëve me Covid-19 si terapi mbështetëse./kp

Back to top button