Rreth 60% e qytetarëve besojnë se marrëveshja Kosovë-Serbi ndikon pozitivisht në jetën e tyre

Rreth 60% e qytetarëve në Kosovë besojnë se marrëveshja Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve do të ndikonte pozitivisht në jetën e tyre. Ky rezultat doli nga një anketim që ka zhvilluar UNDP-ja me qytetarët e të gjitha komuniteteve në Kosovë. Por, thonë se problemi qëndron tek përfaqësuesit politik në Kosovë dhe Serbi që, sipas qytetarëve, nuk po gjejnë zgjidhje në proces të dialogut. Qeveria akuzon Serbinë për mos zbatim të marrëveshjes. Ndërsa, SHBA-ja dhe BE-ja i bëjnë fajtore të dyja palët për mos zbatim.

Të dhënat e anketës të opinionit së nëntorit 2023 treguan se 59.3% e shqiptarëve të Kosovës dhe 32.4% e serbëve të Kosovës besonin (plotësisht ose disi) se Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të ndikojë pozitivisht në jetën e qytetarëve të Kosovës, ndërsa 62.5% e komuniteteve tjera të Kosovës besonin (plotësisht ose disi) se marrëveshja do të ndikojë pozitivisht në jetën e qytetarëve të Kosovës. Gjithsej 60% e të anketuarve pohuan se marrëveshja do të ketë efekt pozitiv. Shumica e të anketuarve (58.8%) pohuan se besojnë plotësisht ose besojnë se marrëveshja do ta ndihmojë Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së.

Ndërkohë, qytetarët presin nga përfaqësuesit politik të Kosovës dhe Serbisë të gjejnë zgjidhje të problemeve ndërfqinjësore në proces të dialogut në Bruksel.

SHB-ja ka shprehur zhgënjim për mos zbatim të marrëveshjes bazë nga Kosova dhe Serbia për normalizimin e raporteve. Faktori ndërkombëtar e sheh si rrugë të vetme për zgjidhjen e problemeve, dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

Krahasimi i Kosovës me Serbinë për mos zbatim të marrëveshjes nuk është i duhuri vlerësojnë përfaqësuesit e pushtetit në Kosovë. Sipas deputetit të VV-së, Enver Haliti, presioni ndërkombëtar duhet t’i behët Serbisë për, siç thonë, shkelje të marrëveshjes bazë.

‘’Pala serbe është pala që nuk ka pranuar nënshkrimin e marrëveshjes. Ne kemi parë që menjëherë pas dakordimit për marrëveshje, Serbia ka dalë publikisht duke deklaruar se nuk i pranon disa pika të marrëveshjes. Ky është problemi kryesor që nuk implemtohet marrëveshja”, tha për rtv21 Enver Haliti, deputet i LVV-së.

Por, pikëpamje tjetër kanë në opozitën kosovare. Sipas kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, kryeministri Kurti ka zgjedhur një rrugë që është kundër interesave strategjike të Kosovës.

“Kishte qenë shumë në interes që menjëherë pas arritjes së marrëveshjes që të fillohet me zbatim në mënyrë që të arrijmë në afatin kohorë mundësinë e anëtarësimit në NATO. E gjithë marrëveshja ka qenë se në rast të implementimit të suksesshme Kosovës ti hapen mundësit për integrim në institucionet euroatlantike. Për fat të keq kryeministri Kurti ka zgjedhur rrugë tjetër atë të largimit të Kosovës nga NATO e që kjo është fatkeqësisht agjenda Ruse”, tha për rtv21 Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.

Në një vjetorin e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, BE-ja ka shprehë keqardhje për progres të kufizuar nga të dyja palët në proces të dialogut. Sipas BE-së pa progres në zbatimin e marrëveshjes, palët nuk do të jenë në gjendje t’i përmbushin rrugët e tyre evropiane./RTV21/21Media

Back to top button