Rreth 80 qytetarë të Kaçanikut dyshohet se u helmuan nga uji i pijshëm

Rreth 80 qytetarë sot kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Kaçanik, për shkak të simptomave që dyshohet të jenë të helmimit nga uji i pijshëm.
Për portalin rtv21.tv kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi tha se sot është dita e tretë që qytetarët po kërkojnë ndihmë mjekësore, pas simptomave të helmimit.
“Është dita e tretë që disa qytetarë kanë simptoma që dyshohet të jenë të helmimit nga uji i pijes. Dikur rreth 80 pacientë kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të këtyre simptomave. Janë simptoma të lehta”, deklaroi Ilazi.
Ai tutje shtoi se mostrat e ujit i kanë dërguar në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë publike dhe se sipas rezultateve, uji është i pijshëm.
Ndërsa, tani tha se janë në pritje të rezultateve të analizave bakterologjike, të cilat pritet të dalin sot pasdite.
Qytetarëve të Kaçanikut u është bërë apel që ujin ta vlojnë para se ta përdorin për pije./21Media

Back to top button