Rrezikoi jetën për një “tym duhani”! Pacienti ndezi cigaren, dhoma në Pulmologji mori flakë

 
Në Klinikën e Pulmologjisë në Shkup, një pacient që po trajtohej me mbështetje të oksigjenit, ka nxjerrë maskën dhe ka ndezur një cigare. Për shkak të pranisë së oksigjenit, në dhomë është përhapur zjarr me çka pacienti ka pësuar djegie të lehta në fytyrë dhe gjoks.
Stafi mjekësor kujdestar ka reaguar shpejt duke ndërprerë furnizimin me oksigjen, gjë që ka parandaluar shpërthim më të madh. Ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Venko Filipçe i pyetur rreth rastit të mbrëmshëm tha se të gjithë duhet të jemi të përgjegjshëm.
“Kjo na tregon se të gjithë ne kemi përgjegjësi, ka pasur pacientë që ka qenë në mbështetje oksigjenike, e ka hequr maskën dhe ka ndez cigare. Për fat të mirë ka pasur njerëz afër dhe është parandaluar tragjedia, kështu që çdonjëri nga ne duhet të jetë i përgjegjshëm në këtë situatë sa i përket sjelljes dhe veprimeve”, tha Filipçe.
Edhe pse në dhomë ka pasur edhe pacientë të tjerë që po trajtoheshin, zjarri nuk ka prekur persona tjerë, ndërsa në dhomën e spitalit është dëmtuar një pjesë e vogël e dyshemesë.
“A kishte pacientë të tjerë në dhomë dhe a ka të lënduar? Jo vetëm ai pacient, ka pasur edhe pacientë të tjerë në dhomë por nuk janë të lënduar”, tha më tej Filipçe.
Rasti është raportuar në Polici nga Klinika, ndërsa pacienti i lënduar që ka shkaktuar zjarrin nuk ka lëndime me rrezik për jetën./21Media

Back to top button