RrGK inkurajon Policinë që ta luftojë prostitucionin e detyrueshëm

Rrjeti i Grave të Kosovës ka bërë të ditur se me shqetësim i kanë përcjellur lajmet e fundit mbi numrin e madh të lokaleve dhe masazheve, në të cilat ka dyshime të bazuara se është duke ndodhur trafikim me qenie njerëzore si dhe prostitucion i detyrueshëm.

”Bazuar në komunikatën e Policisë së Kosovës të datës 2 korrik, mbi planin operativ ”Masazha 21”, RrGK inkurajon Policinë e Kosovës që të vazhdojë me këtë plan, i cili ndikon drejtpërsëdrejti në përmirësimin e mirëqenies së grave dhe vajzave në Kosovë, si dhe luftimin e padrejtësive dhe diskriminimit gjinor ndaj tyre”, thuhet në postimin e RrGK-së.

Sipas RrGK grate dhe vajzat kanë më shumë gjasa që të jenë pre e trafikantëve dhe mashtrimeve për shkak të pjesëmarrjen së ulët dhe gjendjes së rënduar ekonomike.

”RrGK mbështet këtë aksion të Policisë së Kosovës, si dhe shprehim gatishmërinë ta ndihmojmë atë në çfarëdo forme, duke pasur parasysh punën dhe ekspertizën tonë dekadëshe për përmirësimin e kushteve të jetës për gratë dhe vajzat në Kosovë”, thuhet tutje në postim./21Media

Back to top button