Rriten kërkesat për djegien e Kuranit në Suedi
Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, ka thënë se ai është “jashtëzakonisht i shqetësuar” për pasojat nëse zhvillohen më shumë demonstrata në të cilat përdhoset Kurani, mes zemërimit në rritje të myslimanëve ndaj një serie sulmesh ndaj librit të shenjtë të Islamit.
Sulmet ndaj Kuranit në Suedi dhe Danimarkë kanë ofenduar shumë vende myslimane, përfshirë Turqinë, në të cilën Suedia mbështetet për t’u bashkuar me NATO-n.
Kristersson tha se kërkesa të tjera janë paraqitur në polici për leje për të mbajtur protesta ku planifikohet përsëri përdhosja e Kuranit.
“Nëse ato jepen, ne do të përballemi me disa ditë ku ekziston një rrezik i qartë për të ndodhur diçka serioze. Jam jashtëzakonisht i shqetësuar për atë që mund të pasojë”, tha kryeministri.
Ambasada e Suedisë në Bagdad u sulmua dhe u dogj më 20 korrik nga protestuesit të zemëruar nga një djegie e planifikuar e Kuranit.
Kristersson tha se vendimi nëse do të jepej leja për demonstratat i takonte policisë.
Kristersson dhe zyrtarë të tjerë suedezë thanë se vendi kishte qenë shënjestër e një fushate dezinformimi në të cilën “aktorët e mbështetur nga Rusia” ishin përpjekur të dëmtonin imazhin e vendit duke nënkuptuar se ai mbështeti djegiet.
Danimarka dhe Suedia kanë thënë se e dënojnë djegien e Kuranit, por nuk mund ta parandalojnë atë sipas rregullave që mbrojnë fjalën e lirë. /21Media