Rritet interesimi i qytetarëve serbë që të pajisen me pasaportë të Kosovës

Qeveria përmes një reagimi dërguar Komisionit Evropian ka shprehur shqetësimin në lidhje me propozimin që qytetarët serbë të Kosovës me dokumente të lëshuara nga Qendra Koordinuese Serbe në Kosovë, mund të udhëtojnë pa viza pas liberalizimit. Qeveria këtë qëndrim e konsideron si shkelje të sovranitetit të vendit pasi Qendra serbe nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Ndërkohë, është shtuar numri i qytetarëve serbë që dëshirojnë të pajisen me pasaporta të Kosovës.

Në prag të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës është rritur numri i serbëve në katër komunat veriore për tu pajisur me pasaporta të Kosovës sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Këtë e konfirmoi edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.

“Fluksi është i madh. Me gjasë 1 janari kur do të liberalizohen e ka rritë interesimin e qytetarëve serbë për tu pajisur me pasaporta”, tha ai për RTV21.

Qytetarët serbë që dëshirojnë të heqin dorë nga dokumentet ilegale thanë se pajisja me dokumente të Kosovës është në të mirë të tyre.

Pytje: A do ta merrni pasaportën e Kosovës ?

Vox: Po, dua..

Pyetje: A është më mirë për ju?

Vox: Nuk e di, mendoj se po…por, unë do ta marrë..

Vox: Unë jam i lindur në Kosovë, në Leposaviq. Mendoj se është mirë për serbët në Kosovë që të pajisen me dokumente.

Vox: Po, dua sigurisht. Po, natyrisht gjithçka ndryshon, është më lehtë.

Komisioni Evropian ditë më par ka propozuar heqjen e vizave për qytetarët serbë të Kosovës, pasaportat e të cilëve lëshohen nga Qendra Koordinuese e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë.

Qytetarët që vazhdojnë të pajisen me dokumente nga zyra ndërlidhëse e Serbisë refuzojnë që në të ardhmen të ketë pasaporta të Kosovës.

“Jo, nuk jam e interesuar për këtë tash për tash. Kur të vendosi të shkoj diku do ta marr, por unë jam e moshuar… Jo, se nuk kam të drejtë për këtë”, tha një qytetar.

15 organizata të shoqërisë civile të komunitetit serb në Kosovë kanë mbështetur heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës që kanë pasaporta serbe të lëshuara nga e ashtuquajtura Drejtoria Koordinuese serbe. Ndaj këtij qëndrimi të shoqërisë civile serbe kanë dalë organizatat e tjera joqeveritare në Kosovë. Por, analisti serb Branislav Kërstiq, vlerëson se vetëm ata qytetarë serbë që janë të ndikuar nga Lista Serbe dhe Beogradi vazhdojnë të pajisen me dokumente të tilla.

“Serbët janë të zgjuar. Vetëm ata qytetarë që janë të ndikuar nga Lista Serbe do të vazhdojnë me pasaporta të zyrës ndërlidhëse të Serbisë”, tha ai.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, tha se propozimi i Komisionit Evropian që edhe qytetarët me dokumente ilegale do të mund të udhëtojnë pa viza pas 1 janarit është dekurajues për qytetarët serbë që dëshirojnë të pajisen me dokumente të Kosovës.

“Nuk mendoj se është ide e mirë sepse krijon një efekt dekurajues për qytetarët që dëshirojnë të pajisen me dokumente të Kosovës”.

Propozimin e Komisionit Evropian e ka kundërshtuar Qeveria e Kosovës e cila i është drejtuar me një letër Komisionit që të heq dorë nga ky propozim që konsiderohet i papranishëm dhe shkelje e sovranitetit .

“Ky propozim, nuk është diskutuar me Qeverinë e Republikës së Kosovës, e as konsultuar apo informuar mbi këtë. Pasaportat ilegale të lëshuara nga Qendra Koordinuese e Serbisë, i konsideron komunat brenda Kosovës si pjesë të juridiksionit të Serbisë, shkelje kjo e sovranitetit tonë dhe e papranueshme. Kemi reaguar përmes kanaleve të brendshme të komunikimit e në linjë zyrtare dhe shprehur shqetësimin tonë në instancat e larta të BE-së në lidhje me këtë propozim. Për çdo zhvillim të ri apo përditësim në lidhje me çështjen, do iu mbajmë vazhdimisht të informuar”, tha Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit Bislimi./21Media

Back to top button