Rritet numri i viktimave si pasojë e sulmeve në Teheran

16 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur

Numri i të vrarëve, si pasojë e dy sulmeve terroriste në Teheran, në ndërtesën e Parlamentit dhe te mauzoleu u Ajatollah Homeinit, është ngritur në 16.

Në mesin e të vrarëve janë edhe tri femra, ndërsa me dhjetëra persona tjerë janë plagosur, kanë njoftuar zyrtarët iranianë.

Më tutje u qartësua se sulmuesit ishin shtetas të Iranit dhe se policia deri me tani ka arrestuar gjashtë persona, për të cilët dyshohet se kanë pas lidhje me sulmuesit dhe në mesin e tyre është edhe një femër.

Për të dy sulmet e djeshme në Teheran përgjegjësinë e mori përsipër Shteti Islamik, transmeton rtv21.tv

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Iranit, Mohamad Zarif, ka cilësuar sot si të neveritshëm reagimin pas këtyre sulmeve të presidentit amerikan, Donald Tramp, i cili fillimisht i shprehu ngushëllime për viktimat, por më pas theksoi se Irani tani po korr atë që ka mbjell.

Tramp tha se Shtetet e Bashkuara janë të pikëlluara dhe po luten për viktimat e sulmit, por njëkohësisht theksoi se shtetet, të cilat promovojnë terrorizmin, rrezikojnë të bëhen viktima të së keqes, të cilën e promovojnë.

“Komunikatë e neveritshme e Shtëpisë së Bardhë. Populli i Iranit refuzon porosi të këtilla të miqësisë nga ana e Amerikës”, shkroi Zarif në porosinë e tij në Tuiter.

Zarif më tutje shtoi se iranianët po luftojnë kundër terrorizmit, i cili sipas tij po mbështetet nga të ledhatuarit e Amerikës./21Media

Back to top button