Rritje e theksuar e ankesave ndaj operatorëve kabllorë, kritikohet edhe ARKEP-i

Këtë vit ka një rritje të theksuar të ankesave nga konsumatorët ndaj operatorëve të shërbimeve të komunikimeve elektronike, në këtë rast për shërbimeve kabllore televizive dhe internetit.
Ankesat janë bërë kryesisht për faturim të padrejtë, për shërbime jo cilësore, praktika mashtruese dhe mos përfillje të kontratës.
Në tryezën “Konsumatorët në tregun e telekomunikimeve”, të organizuar nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), u tha se për fushën shërbimeve të komunikimeve elektronike numri i përgjithshëm i ankesave mund të arrijë qindra- mijëra ankesa.
Kritik ndaj Autoritetit Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) ishte Njazi Shala nga Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorëve në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për mos trajtimin e ankesave të caktuara dhe në mënyrën e duhur. Ai pretendon se 50 për qind e ankesave nuk janë trajtuar nga ARKEP.
“Ankesat që i kemi pranuar i kemi ndarë këto kategori, për faturim të padrejtë, mos përfillje të kontratës, shërbime jo cilësore dhe praktika mashtruese. Për të gjitha këto kemi pasur 243 ankesa nga janari i vitit 2022… Kanë qenë dy flukse të ankesave. Rasti i IPKO-s nuk e di pse nuk është trajtuar prej ARKEP-it, pavarësisht se kësi lloj ankesave ARKEP i ka trajtuar më parë”, theksoi ai.
Nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare(ARKEP), Lule Ahmeti tha se kanë ndërmarrë hapat e nevojshëm për adresimin dhe trajtimin e ankesave. Derisa u përgjigj se është e padrejtë të thuhet se ARKEP-i nuk i trajton ankesat e caktuara.
“Ne kemi adresuar çështjen që ka ankesa, të cilat gabimisht kategorizohen si ankesa që duhet ARKEP t’i trajtojë. Në fakt me ligjet në fuqi, ka ankesa të cilat gabimisht kanalizohen si ankesave të fushave që i mbulojmë, e në fakt janë fusha audio-vizuele. Është informim jo i drejtë se ARKEP-i nuk i trajton ankesat e caktuara”, tha ajo.
Hulumtuesi i lartë në Institutin për Politika Zhvillimore(INDEP), Dardan Abazi shprehet i bindur se numri i përgjithshëm i ankesave në sektorin e komunikimeve elektronike arrin qindra-mijëra.
“Sektori me rritjen më të madhe të ankesave ka qenë sektori i komunikimeve elektronike për shërbime televizive, internetit dhe telefonisë mobile. Kështu që gjithnjë e më shumë ka pasur rritje të ankesave, ku vetëm në Departamentin për mbrojtjen e konsumatorëve janë 241 ankesa që sivjet kanë shkuar për këto shërbime. Një numër të ngjashëm e kemi marrë dhe institucione të tjera rregullative. Edhe kompanitë – operatorët jam i bindur që marrin me qindra mijëra ankesa për këto shërbime në këtë treg”, tha Abazi.
Deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, njëherësh edhe anëtar i Komisionit parlamentar për Ekonomi, Driton Hyseni duke theksuar se Ligji për komunikimet elektronike po zbatohet në tërësi, vuri theksin se është vërejtur nevoja për plotësim ndryshimin e Ligjit me disa amendamente.
Megjithatë, deputeti Hyseni tha se Komisioni ka vërejtur një tendencë të rritjes së ankesave nga viti në vit. Teksa shtoi se ka një besueshmëri ndaj Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) për shqyrtimin e tyre.
“Ne si komision sidomos tek Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, kemi vërejtur një tendencë tani në rritje të ankesave në vitin 2021 në raport me vitin 2020, por sidomos edhe në vitin 2022 në raport me vitin paraprak. Tani i kemi dy anë, në njërën anë mund të themi që ka një ulje të nivelit të shërbimeve, por në anën tjetër ka edhe besueshmëri të klientëve në ARKEP për trajtimin e ankesave”, theksoi ai.
Edhe Komisioni i Pavarur për Media ka pranuar dhjetëra ankesa nga konsumatorët./kp

Back to top button