Rruga “A”, Pacolli padit Ramën, Abdixhikun dhe Kica-Xhelilin

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Ftiroe Pacolli njoftoi se ka paditur sot Kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, Kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun dhe nënkryetaren e kësaj partie, Doarsa Kica-Xhelilin lidhur me rastin e Rrugës “A”.

Ajo tha se ata e kanë akzuar padrejtësisht vetëm pse e ka motër gjyqtaren e rastit Vlora Pacolli.

“Unë sot jam këtu që të dorëzojë një padi kundër Kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, kundër Kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe nënkryetares së LDK-së dhe deputetes Doarsa Kica-Xhelili, në lidhje me rastin e Rrugës A, për vendimin e Gjykatës Komerciale, ku ata shfrytëzojnë vendimin e Gjykatës, shpifin dhe fyejnë e denigrojnë personalitetin tim duke më akuzuar mua për diçka që nuk është e nuk kanë fakte për këtë. Kështu që unë sot padis këta tre persona për shpifjet që i kanë bërë ndaj meje sepse në statuset e tyre publike kanë nxitur opinionin kundër meje, qytetarët të reagojnë kundër meje pa pasur asnjë fakt. Pres prej gjykatës të marrë vendim dhe të trajtoj lëndën time me kujdes”, tha Pacolli.

“Motra ime e ka punën e vet, unë punën time. Të dyja bëjmë punën tonë profesionale. E kanë shfrytëzuar rastin për të përfituar politikisht dhe kanë akuzuar pa bazë e padrejtësisht vec pse jam motra e gjyqtares Vlora Pacolli”, tha Pacolli para gazetarëve sot.

Para dy muajve Gjykata Komerciale ka vendosur për pezullimin e punimeve në Rrugën “A”, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama e ka quajtur këtë vendim politik.

“plotësisht në interesa politike dhe të grupeve të interesit, të cilat me çdo kusht po përpiqen ta bllokojnë transformimin e Prishtinës”., kishte shkruar Rama

Derisa, Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku me ndaljen e punimeve në Rrugën A muaj më parë, pati thënë se një gjë e tillë ka ndodhur për shkak të një gjykatëse e cila është motra e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje.

“Sot, një gjykatëse vendosi ta ndalojë atë. Ta ndalojë punën e ndërtimit të rrugës ‘Jim Xhema’ në gjysmë të saj. Gjykatësja, del të jetë motra e deputetes në pushtet”, ka shkruar ai në Facebook.

Për këtë kishe reaguar edhe deputetja e LDK-së Doarsa Kica Xhelili.

“Motra e Fitore Pacollit ndali Rrugën A, e frikshme, e tmerrshme dhe e pafalshme”, kishte qenë deklarata e Kica-Xhelilit pas ndalimit të punimeve të kësaj rruge.

“Kur del MOTRA e deputetes së VV Fitore Pacolli, gjyqtarja Vlora Pacolli, dhe vendos masë të përkohshme për ti ndalur punimet e “Rrugës A” në Prishtinë – A është KJO drejtësia që ju donit?”, kishte thënë mes tjerash Kica Xhelili përmes një postimi në Facebook./21Media

Back to top button