Rrugëtimi i Kosovës drejt integrimit në BE temë e takimit të Gërvallës dhe Von der Leyen
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla, ka pritur sot në Aeroportin e Prishtinës presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Gjatë bisedës, temë qendrore ishte rrugëtimi i Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Ministrja theksoi angazhimin e Qeverisë së Kosovës për përmbushjen e agjendës evropiane.
Po ashtu, ajo e njoftoi presidenten e Komisionit Evropian lidhur me zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, e cila, sipas saj, ka nxitur reforma të nevojshme që e përafrojnë vendin me standardet e BE-së.
Në takim është diskutuar edhe lidhur me bashkëpunimin rajonal.
Në këtë pikë, Gërvalla ritheksoi përkushtimin e Kosovës në kuadër të Procesit të Berlinit, duke vënë në pah që proceset e bashkëpunimit rajonal kanë të ardhme vetëm atëherë kur garantohet trajtimi i barabartë i të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Gjithashtu është diskutuar edhe lidhur me menaxhimin e situatës me pandeminë COVID-19, dhe Gërvalla shprehu mirënjohjen e Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e BE-së në këtë pikë./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?