Rrustemi: Ne kemi sovranitet si asnjëherë më parë në veri…

(Lajm i përditësuar)

Rrustemi: Ne kemi sovranitet si asnjëherë më parë në veri…

Rrustemi ka thënë se “në veri, kemi sovranitet si asnjëherë më parë”.
“Ne kemi sovranitet si asnjëherë më parë përmes autoriteteve siç është Policia e Kosovës, që kontrollon rrypin kufitar, kontrollon Ujmanin, patrullon në secilën pjesë veriore. Në anën tjetër, janë larguar zyrtarët nga institucionet lokale në atë pjesë. Në momentin e parë kur u përballen me një vendim për vendosjen e ligjshmërisë, ata liruan detyrën”, ka thënë ai.
Rrustemi i përgjigjet Rakiqit për “kushtet” për t’u larguar barrikadat në veri
Rrustemi i është përgjigjur thirrjeve të Goran Rakiqit për “kushtet” për t’u larguar barrikadat në veri.
Rrustemi ka thënë se “këto deklarime janë pjesë e propagandës së Beogradit”. Ai ka thënë më tutje se “kushtëzimet e tilla janë të papranueshme për institucionet e Kosovës”.
“Këto deklarime janë pjesë e propagandës së Beogradit zyrtar që është gjithnjë në funksion të përpjekjeve për ta destabilizuar veriun e në linjë të njëjtë me Putinin në Rusi. Mos të harrojmë që ka pasur thirrje të vendosur edhe nga ShBA-të, ambasada britaneze, ministria e Jashtme gjermane që barrikadat të hiqen menjëherë dhe që lëvizja e lirë të garantohet. Keni parasysh që kushtëzimet e tilla janë të papranueshme për institucionet e Kosovës, po bëjmë fjalë për thirrjet për ta liruar një të akuzuar për veprime kriminale e që ka cenuar rendin kushtetues duke i prirë e organizuar sulmeve ndaj zyreve të KQZ-së në veri. Imagjinoni po flasim për suspendimin e ligjit, ne të gjithë e dimë që kompetencat janë të ndara, ligjet e përcaktojnë qartë edhe kush e bën arrestimin, kush e shqipton paraburgimin, janë procedura gjyqësore këto dhe nuk diskutohen – është një mendësi destabilizuese dhe që buron nga një vend autoritar siç është Serbia”, ka thënë tutje Rrustemi.
Rrustemi: Barrikadat nuk do të tolerohen gjatë
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi ka thënë se ‘barrikadat në veri nuk do të tolerohen për kohë të gjatë”.
Ai në “21Drejtpërdrejt” të RTV21 ka thënë se “nuk ka asnjë dyshim se Policia e Kosovës ka kapacitete dhe përgatitje profesionale për t’i hequr këto barrikada, por KFOR-i ka kërkuar kohë”.
“Nuk ka asnjë dyshim se Policia e Kosovës ka kapacitete dhe përgatitje profesionale për t’i hequr këto barrikada, por KFOR-i ka kërkuar kohë dhe ne natyrisht që kemi dhënë kohën e duhur për t’i hequr. Ne përsërisim që duhet të hiqen sa më parë këto barrikada, sikurse e përsërisim që nuk do të lejohen edhe shumë gjatë. Unë besoj që KFOR-i e ka të qartë edhe situatën në terren, edhe domosdoshmërinë për të siguruar lëvizjen e lirë në drejtim të pikave kufitare, por nga autoritetet e Kosovës nuk do të lejohen gjatë”, tha Rrustemi./21Media

Back to top button