RTV21 raportoi nga Kievi, Bucha, Irpini dhe Gostomeli
Ekipi i RTV21/TV21 është media e vetme shqiptare, që deri tani, në gjendje lufte ka shkuar në kryeqytetin ukrainas, Kiev.
Ekipi i 21Media të mërkurën ka raportuar nga Kievi, Bucha, Irpini dhe Gostomeli.
Ekipi i RTV21/TV21 e ka vizituar Ukrainën, duke e mbuluar vizitën e kryeparlamentarit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferit, në ditën e 63-të të luftës në Ukrainë. Xhaferi është zyrtari i parë i lartë nga Ballkani Perëndimor që viziton Kievin që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt.
Në një lidhje direkte në edicionin qendror të lajmeve “21 Live News”, kryeredaktori Fatmir Aliu ka raportuar drejtpërdrejt nga Kievi, me ç’rast ka treguar qëllimin e vizitës së kryeparlamentarit Xhaferi.
Ndërsa, Kryeparlamentari Talat Xhaferi, në një intervistë për TV21 ka theksuar se prania e tij në Ukrainë është mbështetje personale për njerëzit dhe institucionet, por edhe mbështetje institucionale nga Republika e Maqedonisë së Veriut.