Rudd: Londra mbetet aleate e fuqishme e BE-së përkundër “Brexit”

Ministrja e Britanisë i përgjigjet kancelares së Gjermanisë

Britania do të mbetet aleate e fuqishme e Bashkimit Evropian edhe pasi të largohet nga unioni, porositi sot ministrja e Brendshme, Amber Rudd. Kjo deklaratë e saj pasoi pasi që kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, paralajmëroi se Evropa nuk mund të mbështetet më në tërësi në Britaninë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan rtv21.tv

Në një intervistë për radion BBC, Rudd tha se në momentin kur Londra po fillon negociatat për largim nga unioni, Britania do të jetë në gjendje të bindë Gjermaninë dhe shtetet tjera anëtare se do të mbetet aleate dhe partnere e fuqishme në fushën e mbrojtjes, të sigurisë dhe të tregtisë.

Merkel tha se duke pasur parasysh paqartësitë e reja në lidhje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe sfidat tjera, Evropa duhet të merr fatin në duar të veta, në prag të Brexit dhe mandatit të Presidentit amerikan, Donald Trump.

Zëdhënësi i Merkelit, Shtefan Zajbert, deklaroi sot se kancelarja e Gjermanisë beson në marrëdhëniet Trans-atlantike dhe se ndjen të drejtën që të shfaq dallimet në kuadër të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të ruajtur kështu marrëdhëniet e shëndosha mes Uashingtonit dhe Berlinit./21Media

Back to top button