Rusia e Irani do të ndërtojnë drone sulmuese për luftën në Ukrainë

Irani dhe Rusia kanë arritur një marrëveshje për të filluar prodhimin e dronëve sulmues në Rusi, sipas një vlerësimi të ri të inteligjencës nga një vend që monitoron nga afër programin e armëve të Iranit.
Irani ka filluar të transferojë projekte dhe komponentë për dronët në Rusi pasi marrëveshja fillestare u arrit në fillim të këtij muaji, tha një burim.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se Rusia ka marrë qindra dronë nga Teherani, të cilët kanë pasur një efekt vdekjeprurës në Ukrainë, transmeton rtv21.tv.
Në fillim të këtij muaji, qeveria iraniane pranoi për herë të parë se kishte dërguar një numër të kufizuar dronësh në Rusi në muajt para fillimit të pushtimit të saj në Ukrainë.
“Disa vende perëndimore e kanë akuzuar Iranin se ndihmon luftën në Ukrainë duke ofruar dronë… ne i kemi ofruar Rusisë një numër të kufizuar dronësh në muajt para fillimit të luftës në Ukrainë”, u tha gazetarëve në Teheran ministri i jashtëm i Iranit, Hossein Amirabdollahian.
Qëllimi është që Rusia të prodhojë mijëra dronë të rinj sulmues duke përdorur komponentë dhe projekte iraniane, shpjegoi burimi. Nëse të dy vendet ecin përpara me planin e tyre, pritshmëria është që prodhimi mund të fillojë pas disa muajsh dhe është e mundur që dronët të mund të përdoren nga Rusia në fushën e betejës në Ukrainë vitin e ardhshëm, tha burimi.
Do të ishte një lëvizje që do të çimentonte më tej partneritetin midis Teheranit dhe Moskës dhe ka të ngjarë të provokonte zemërim të konsiderueshëm nga Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë, përfshirë SHBA-në./21Media

Back to top button