Rusia emëron komandantin e ri për flotën e saj të Detit të Zi

Rusia emëroi komandantin e ri për flotën e saj të Detit të Zi me bazë në Krimenë e aneksuar, njoftoi të premten agjencia shtetërore e lajmeve TASS.
Zëvendës-admirali Viktor Sokolov zëvendëson Igor Osipov, i cili komandonte flotën e Detit të Zi që nga maji 2019, përcjell rtv21.tv
Sokolov kishte shërbyer si shef i Akademisë Detare që nga viti 2020. Ai shërbeu si zëvendëskomandant i Flotës Veriore nga 2013 deri në 2020.
Ndryshimi i komandës vjen mes humbjeve të mëdha dhe një varg shpërthimesh të fundit në objektet ushtarake ruse në Krimenë e pushtuar, e cila është në bregun verior të Detit të Zi.
Që nga fillimi i luftës së Rusisë në Ukrainë, flota e Moskës në Detin e Zi ka pësuar humbje, raporton CNN. Më së shumti në prill, Ukraina tha se raketat e saj fundosën anijen luftarake të Rusisë – Moskva . Rusia pretendon se luftanija u fundos pasi një zjarr shkaktoi shpërthimin e municioneve./21Media

Back to top button