Rusia fitoi rreth 100 miliardë euro nga eksportet e energjisë në 100 ditët e para të luftës

Hulumtimet e reja tregojnë se Rusia fitoi rreth 100 miliardë euro nga eksportet e naftës dhe gazit gjatë 100 ditëve të para të konfliktit në Ukrainë – megjithëse të ardhurat e saj kanë rënë në maj.
Raporti, nga Qendra e pavarur për Kërkime mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër paralajmëron gjithashtu për boshllëqet e mundshme në përpjekjet e BE-së dhe SHBA-së për të kufizuar importet nga Rusia.
Eksportet e naftës dhe gazit rus po bien dhe të ardhurat e Moskës nga shitja e energjisë kanë rënë gjithashtu prej mbi 1 miliard dollarë në ditë në mars, shkruan BBC, përcjell rtv21.tv
Por, ato mbeten shumë të larta sipas standardeve historike dhe ende tejkalojnë vlerësimet e publikuara gjerësisht, të kostos së luftës në Ukrainë.
Raporti tregon se embargoja e planifikuar e BE-së e naftës do të ketë një ndikim të rëndësishëm. Por, ai paralajmëron se sasi të mëdha të naftës së papërpunuar ruse tani po dërgohen në Indi, ku ato rafinohen dhe shiten – shpesh te klientët në ShBA dhe Evropë.
Raporti thekson gjithashtu se derisa Rusia kërkon tregje të reja për naftë, shumica e saj po transportohet me anije dhe shumica e anijeve të përdorura janë në pronësi evropiane./21Media

Back to top button