Rusia mohon bllokimin e eksporteve të grurit nga Ukraina

Rusia ka mohuar pretendimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian se po bllokon eksportet e grurit nga Ukraina dhe ka akuzuar Perëndimin se ka krijuar një situatë të tillë duke vendosur sanksione.
Fermerët ukrainas kanë 20 milionë tonë drithë që nuk mund t’i arrijnë në tregjet ndërkombëtare për shkak të pushtimit të vazhdueshëm.
“Ne kategorikisht nuk i pranojmë këto akuza. Përkundrazi, ne fajësojmë vendet perëndimore për ndërmarrjen e veprimeve që kanë çuar në këtë”, u ka thënëgazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, përcjell rtv21.tv
Moska i ka bërë thirrje Perëndimit që të heqë sanksionet për të cilat ka thënë se po bllokojnë eksportet e grurit nga Ukraina.
Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka thënë në fillim të kësaj jave se Rusia po përdor urinë dhe grurin për të zotëruar pushtetin, ndërsa Ukraina e ka akuzuar Rusinë për vjedhjen e qindra mijëra tonë drithë në zonat që forcat e tyre kanë pushtuar./21Media

Back to top button