“Rusia s’do të jetë në gjendje të ruajë forcën ushtarake shkaku i sanksioneve të Perëndimit”

Rusia nuk do të jetë në gjendje të mbajë aftësitë e saj ushtarake për shkak të sanksioneve të ashpra perëndimore, tha të martën kancelari gjerman, Olaf Scholz.
Vendet perëndimore e kanë goditur Rusinë me një sërë sanksionesh që nga fillimi i luftës në Ukrainë dhe Scholz pohoi se urdhrat “shumë efektive, shumë të gjera” do ta kthenin ekonominë ruse prapa “me dekada”.
“Ajo [Rusia] nuk do të jetë në gjendje të marrë pjesë në përparimin e botës, në progresin ekonomik dhe teknik. Kjo po bëhet më e qartë çdo ditë e më shumë dhe është një dëm i madh”, tha kancelari në një konferencë për shtyp gjatë vizitës së tij në kryeqytetin e Lituanisë për një takim me krerët e shteteve baltike.
Scholz shtoi se edhe nëse Rusia abuzon me importet e mallrave civile për qëllime ushtarake, Moska gjithashtu nuk do të jetë në gjendje të ruajë aftësitë e saj ushtarake në të njëjtën mënyrë për shkak të sanksioneve, shkruan CNN, përcjell rtv21.tv
Në vizitën e tij të parë në një vend të NATO-s që kufizohet me Rusinë, kancelari u bashkua gjithashtu me liderët nga Estonia dhe Letonia në premtimin për të forcuar krahun lindor të NATO-s duke u zotuar për të forcuar mbështetjen ushtarake të Gjermanisë për Lituaninë.
“Si aleatë në NATO, ne jemi të përkushtuar ndaj njëri-tjetrit dhe do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s në rast të një sulmi”, shtoi Scholz./21Media

Back to top button