Sadiku mori shpërblim shtetëror nga ministri Çeku
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku e ka pritur sot në takim boksieren, Donjeta Sadiku, e cila i solli Kosovës medalje të bronztë nga Kampionati Botëror i Boksit pëe seniore.
Çeku me këtë rast i ka ndarë shpërblime shtetërore boksieres dhe trajneres Marjola Sallauka.
Bazuar në rregulloren për shpërblime të sportistëve të cilët arrijnë rezultate kulmore në garat ndërkombëtare, për Sadikun u ndanë 14 mijë euro, kurse 7 mijë të tjera për trajneren Sallauka.
”Gjatë këtij takimi ministri Çeku e përgëzoi Donjetën për rezultatin që ka arritur dhe u shpreh që MKRS do të vazhdojë mbështetjen në rrugëtimin e saj olimpik. Ndërsa Sadiku tha që ndihet e nderuar dhe e vlerësuar, po ashtu shtoi se ky shpërblim është një motiv shtesë për të arritur qëllimin e saj për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”, thuhet në njoftim.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin edhe kryetari i Federatës së Boksit të Kosovës, Enver Krasniqi, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi si dhe drejtues e përfaqësues të tjerë të sportit./21Media