Samadrexha shpallet kampione e Kosovës në hendboll

Samadrexha është shpallur kampione e Kosovës në hendboll në konkurrencën e femrave, pasi triumfoi në finalen dramatike të play off-it ndaj Shqiponjës së Gjakovës me rezultat të përgjithshëm 3:2 në seri.
Ndeshja e pestë dhe vendimtare u zhvillua të enjten mbrëma në palestrën “Afrim Bunjaku” në Samadrexhë, ku vendaset shënuan fitore të ngushtë 25:23, duke siguruar titullin kampion.
Skuadra e Samadrexhës dominoi në pjesën më të madhe të takimit, duke mbajtur epërsinë gjatë gjithë kohës, megjithëse hendbollistet e Shqiponjës luftuan fort deri në fund për ta bërë ndeshjen sa më interesante.
Takimi u ndërpre për rreth një orë pak minuta pas fillimit, për shkak të hedhjes së mjeteve tymosëse në palestër nga disa shikues.
Ndërkohë, Amanda Abreu ishte më e dalluara te Samadrexha me shtatë gola të shënuar, ndërsa Tina Hetemi dhe Vitoria Oliveira kontribuuan me nga pesë gola secila. Në anën tjetër, për Shqiponjën u dallua Alma Nivokazi me shtatë gola, ndërsa Nathalia Silva Fontana dhe Helen Da Silva Souza realizuan nga pesë herë.
Përveç titullit të kampionit, Samadrexha këtë edicion ka fituar edhe Kupën e Kosovës, duke kompletuar një sezon të suksesshëm.
Trofeun e kampionit ia dorëzoi kapitenes së Samadrexhës, Tina Hetemi, presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Edin Kolgeci.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?