Sarrazin: Jam skeptik për Ballkanin e Hapur, procesi i Berlinit është mënyrë e duhur për integrimin e rajonit

I dërguari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin në një intervistë për TV21 tha se personalisht është skeptik për idenë e “Ballkanit të Hapur”, mirëpo theksoi se megjithatë vendet duhet të flasin me njëri-tjetrin, por me rëndësi është që nisma të jetë gjithëpërfshirëse.
Thënë sinqerisht, unë vij nga një pozicion skeptik, por jam i gatshëm të mësoj, duhet të flasim me njëri-tjetrin, t’i peshojmë të gjitha idetë dhe të gjejmë mënyra se si të arrijmë në një përfundim sa më të mirë, por që duhet të ketë më shumë qartësi dhe gjithëpërfshirje”, deklaroi Sarrazin.
Sarrazin pohoi se nuk është kundër iniciativave të tilla, por që sipas tij Procesi i Berlinit mbetet rruga e duhur.
TV21: Por, pasi që nuk është gjithëpërfshirës, sepse e kemi Bosnjën, Malin e Zi dhe Kosovën ende jashtë këtij procesi?
“Nuk është detyrë e imja të flas për këtë, ne qëndrojmë pas procesit të Berlinit, në vjeshtë do të mbajmë edhe konferencën e madhe mbi procesin e Berlinit në Berlin, dhe këtë do ta bëjmë, por Ballkani i hapur nuk është në kompetencën tonë, dhe nuk mund të flasim nëse është nisma më e mirë apo jo. Secili që dëshiron të bëjë diçka të mirë duhet të ftohet të kontribuojë, por ne besojmë se procesi i Berlinit është mënyrë e duhur për ta bërë këtë. Ne le të flasim për ide të mira, le të ketë edhe debat kritik…Ne flasim për të gjitha këto ide sa herë që takohemi, madje edhe këtu në Forumin e Prespës”, theksoi Sarrazin./21Media

Back to top button