SBASHK: Subjektet politike premtuan, por nuk e dëshmuan se e kishin prioritet arsimin

 

SBASHK-u duke uruar gjithë të punësuarit në arsim për ditën e tyre, ka theksuar se do të vazhdojë të jetë zëri i tyre dhe në përpjekje për realizimin e kërkesave legjitime do t’i jep gjithmonë përparësi dialogut me institucionet, por në mungesë të vullnetit të palës tjetër për marrëveshje, atëherë do të ketë reagime e veprime sindikale, ashtu siç do të vendos anëtarësia e SBASHK-ut .

SBASHK thotë se çdo vit organizonte aktivitete të shumta nëpër komuna e universitete dhe bënte përmbylljen e këtyre aktiviteteve me manifestimin madhështor në Pallatin e sporteve “1 Tetori” për të festuar 7 Marsin e për të shprehur respektin meritor për kontributin e lartë të pishtarëve të dijes.

“Këtë vit për shkak të situatës nga pandemia ky manifestim nuk u mbajt në Prishtinë, por u shpërnda nëpër gjithë komunat e Kosovës dhe në Universitete. Kështu të premten dhe të shtunën, SBASHK-u organizoi nëpër komunat e Kosovës ceremoni festive me kolegët e pensionuar nga marsi i vitit të kaluar e këndej, që kanë punuar me vite e dekada në çerdhe, Arsimin Parauniversitar apo Universitete, duke u ndarë mirënjohje për punën dhe përkushtimin e tyre e duke kujtuar me fjalë rasti kontributin e lartë të pishtarëve të dijes që nga shkolla e parë shqipe e deri në ditët e sotme. Në këto takime festive është folur edhe për sfidat dhe angazhimin në shërbim të arsimit nëpër vite e dekada dhe me krenari është vlerësuar se SBASHK-u ka arritur të realizojë në tërësi kërkesat e anëtarësisë dhe kështu do të vazhdohet edhe sot e gjithmonë”, thuhet në komunikatë.

SBASHK duke uruar gjithë të punësuarit në arsim për ditën e madhe të mësuesit dhe shkollës shqipe, kujton subjektet politike dhe liderët se kishin deklaruar vazhdimisht se arsimin e kanë prioritet, por me të ardhur në pushtet nuk e kanë dëshmuar këtë.

Back to top button